Filkov: Filluam reforma me të cilat është vendosur baza për ndryshime të thella dhe me ndikim në gjyqësor

by admin
Spread the love

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në llogaridhënien për 100 ditë qeveri kumtoi se janë hedhur themelet për reforma në sistemin gjyqësor, të cilat, tha, duhet të jenë të thella, thelbësore dhe me ndikim, duke pasur parasysh se gjyqësori është fusha ku shteti ka pasur më së shumti kritika dhe për shkak të komenteve për rritjen e korrupsionit në institucionet gjyqësore.

“Prandaj edhe me të drejtë janë të larta pritshmëritë e qytetarëve dhe fakti është se kemi shumë punë përpara për ligjin dhe drejtësinë. Rruga nuk është e lehtë, por ne jemi të vendosur të shkojmë, në njëqind ditët e kaluara i kemi vënë themelet”, theksoi Filkov në konferencë për shtyp.

Ai nuk ka veçuar prioritetet kryesore sepse, tha, ato janë gjithnjë e njëlloj të rëndësishme dhe për të gjitha do të veprohet me shpejtësi. Ai paralajmëroi fillimin e debateve të gjera konsultative për ndryshimet e ligjeve në fushën e noterisë, përmbarimit, ndërmjetësimit… dhe veçanërisht për ligjet për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë Publike për të arritur zgjidhje që, tha, do të garantonin pavarësinë e këtyre institucioneve dhe që ato të jenë të lira nga ndërhyrjet politike dhe të jenë në shërbim të drejtësisë.

Filkov paralajmëroi ndryshime ligjore edhe në moshën e pensionimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë me propozimin për pension në moshën 67 vjeç për të gjithë, duke pasur parasysh uljen e vazhdueshme të numrit të tyre që reflektohet në zgjidhjen e lëndëve.

Lidhur me mungesën e policisë së burgjeve, të cilën ai e quajti “problem i ndezur” në të gjitha burgjet, tha se po mendohet të merren persona nga ARM-ja që duhet të dalin në pension.

Duke iu referuar asaj që është bërë në njëqind ditët e fundit, ministri ndër të tjera vuri në dukje vendimin e anuluar për dhjetëfishimin e tarifave të noterisë të marrë nga qeveria e mëparshme, hartimin e ligjit të ri për shërbimin gjyqësor, miratimin e ndryshimeve në Ligjin për ndihmë juridike falas, kodifikimin e legjislacionit civil dhe debatet publike për Kodin Civil për të përmirësuar konceptin që synon një siguri më të madhe juridike për qytetarët, zbatimin e sistemit për regjistrimin audio dhe video të seancave gjyqësore “Femida” që do të mundëson transparencë në të gjitha gjykatat, për të cilën gjë është pritur 14 vite.

“Ky është vetëm fillimi. Reformat që kemi ndërmarrë në këto njëqind ditët e para kanë hedhur bazën për ndryshime më të thella dhe më me ndikim. Vizioni ynë për të ardhmen e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut është ai ku gjyqësori është plotësisht i pavarur, i lirë nga ndikimi politik dhe i përgjegjshëm ndaj njerëzve të cilëve u shërben. Çdo qytetar, pavarësisht nga statusi, statusi i pronës dhe tjera, ka qasje të barabartë në përfaqësimin ligjor dhe një gjykim të drejtë. Çdo qytetar duhet të sigurohet që korrupsioni në sistemin juridik do të çrrënjoset plotësisht dhe se ata që tentojnë të cenojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi”, theksoi Filkov në llogaridhënien.

Ai gjithashtu theksoi se në tre muaj e gjysmë të kaluar ka pasur shumë takime me përfaqësues të huaj dhe se lidhjet me partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur reformat e nevojshme në gjyqësor nuk kanë qenë kurrë më të forta.

MARKETING

>



You may also like