Euroliga në RTSH: Fenerbahce fiton derbin e Stambollit

by admin
Spread the love

Fenerbahce ka fituar derbin e parë të Stambollit në Euroligë teksa ka mundur Anadolu Efes 78-83 në javën e dytë të sezonit të ri. Ndeshja u zhvillua ne pallatin e ri të sportit “Basketball Development Center” të Stambollit që është në pronësi të skuadrës së Efes. Ndeshja nisi e shpejtë dhe e saktë për Fenerbahcen me disa trepikësha radhazi duke krijuar një diferencë menjëherë me dy shifra.

Ndërkohë, starti ishte i ngadaltë për Efes teksa trepikëshin e parë e shënoi pas 11 tentativash në fund të periodës së tretë. Pak nga pak Efes nisi të ndryshojë ashpërsinë në lojë dhe sidomos në mbrojtje duke iu afruar skuadrës verdheblu.

Edhe pse në periodën e tretë Fenerbahce udhëhoqi deri në 15 pikë diferencë, Efes arriti ta barazoj rezultatin në periodën e katërt kur shifrat shënonin 74-74. Në fund, kur Efes kishte mundësi ta përmbyste rezultatin, gaboi në gjuajtje, si Nvora ashtu edhe Larkin ndërsa në krahun tjetër me 2 trepikësha prej Guuric dhe Zagars, Fenerbahce siguroi fitoren.

Gjatë ndeshjes nuk munguan edhe tensionet në këtë derbi teksa në periodën e tretë, Bryant dhe Biberovic në nervozizëm e sipër u goditën me njëri-tjetrin dhe gjyqtari akordoi teknikë përjashtimi për të dy. Pas 2 raundesh, Fenerbahce nuk njeh humbje, ndërsa Efes pëson humbjen e parë.

 

 

You may also like