Erdogan: Izraeli po vepron si një grup terrorist

by admin
Spread the love

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar sulmet e Izraelit në Liban, duke pohuar se këto sulme konfirmojnë shqetësimet e Turqisë për ambiciet e Izraelit për të zgjeruar konfliktin në rajon. Duke folur për mediat të shtunën në Stamboll, përpara nisjes së tij për në Nju Jork, Erdogan deklaroi se Izraeli po vepron si një grup terrorist.

“Me këtë sulm (shpërthimet në Liban), Izraeli tregoi se nuk ka ndjeshmëri ndaj civilëve dhe është gati të përdorë çdo mjet për të realizuar ambiciet e tij të urryeshme,” tha Erdogan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe rrjeti i tij po përdorin çdo lloj provokimi për të zbatuar ideologjinë e tyre radikale zioniste, shtoi Erdogan.

“Mjaft qëndruam pasiv ndaj veprimeve të tmerrshme të Izraelit!”

Rajoni po përballet me një krizë të paparë, theksoi presidenti turk. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve perëndimore, që të ndalojnë së vëzhguari veprimet e egra të Izraelit dhe të ndërmarrin hapa ndëshkues.

Të paktën 37 persona u vranë dhe mbi 3,250 të tjerë, përfshirë fëmijë dhe gra, u plagosën si pasojë e shpërthimeve në Liban të martën dhe të mërkurën. Nuk ka ende një koment zyrtar nga Izraeli lidhur me shpërthimet.

“Presioni ndaj Izraelit duhet të rritet më tej”

Erdogan njoftoi gjithashtu se gjatë fjalimit të tij në Samitin e së Ardhmes, ai do të nënvizojë nevojën për reforma në mekanizmat globalë të qeverisjes, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe arkitekturën ndërkombëtare financiare. Ai theksoi rëndësinë e një strukture më përfshirëse, të drejtë dhe efektive.

Duke përmendur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator, Erdogan shtoi: “Do të ndajmë pikëpamjet tona mbi çështjet e rajonit tonë dhe të njerëzimit. Do të flas veçanërisht për veprimet e përbashkëta që mund të ndërmerren kundër gjenocidit në Gaza dhe politikat agresive të Izraelit.”

Ai vuri në dukje se më shumë se 130 krerë shtetesh dhe qeverish nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së pritet të marrin pjesë në takimet e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme.

Presidenti turk theksoi se e gjithë bota, veçanërisht OKB-ja, kanë përgjegjësi të rëndësishme për t’i dhënë fund shtypjes izraelite në Gaza, për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar ndihma humanitare pa pengesa. “Do t’i kujtojmë sërish këto përgjegjësi gjatë vizitës sonë.”

“Kryeministri Netanyahu dhe rrjeti i tij përdorin të gjitha llojet e provokimeve për të zbatuar ideologjinë e tyre radikale zioniste. Sulmet dhe ngacmimet ndaj xhamisë al-Aksa, kibla jonë e parë, janë pjesë e të njëjtit skenar të pistë. Si Turqi, kemi shprehur vazhdimisht ndjeshmërinë tonë ndaj këtij problemi. Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë edhe sot. Presioni ndaj Izraelit duhet të rritet më tej për të shmangur që rajoni ynë të përfshihet në një katastrofë të madhe,” deklaroi ai. /Tesheshi.com/

You may also like