Dita e një “dhurate europiane” për serbët e Kosovës

by admin
Spread the love

Mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë, nga sot mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, pasi ka hyrë në fuqi Rregullorja për heqjen e vizave, e publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së më 23 shtator.

“Kjo Rregullore është plotësisht e detyrueshme dhe zbatohet drejtpërdrejt në shtetet anëtare në përputhje me Traktatet”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) dhe të transmetuar nga Beta.

Ambasadori i Serbisë në BE, Danijel Apostoloviç, vlerësoi se ky është një lajm i mirë, sepse siç tha ai, është eliminuar padrejtësia dhe trajtimi diskriminues i BE-së ndaj serbëve nga Kosova.

Vendimi u mbështet nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian me shumicë të madhe votash.

406 prej tyre votuan pro, 97 kundër.

I njëjti regjim për të gjithë Ballkanin Perëndimor

Më 18 shtator, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian nënshkruan në Strasburg ligjin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Më 22 korrik, Këshilli i BE-së miratoi vendimin për anulimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova.

Hyrja në fuqi e kësaj Rregulloreje do të thotë se i gjithë Ballkani Perëndimor do t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash në të ardhmen, pasi serbët e Kosovës me pasaporta serbe ishin të vetmit që kishin ende nevojë për vizë për të hyrë në vendet e BE-së që nga heqja e vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti. /tesheshi.com/

You may also like