COP29 – IHLEGCF: Vendet e pasura duhet të dyfishojnë financimin e klimës nga taksat deri në 2030-n

by admin
Spread the love

LONDËR, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Vendet e pasura duhet të dyfishojnë shumën e financimit të klimës që paguhet nga paratë e taksapaguesve çdo vit deri në vitin 2030, thanë ekspertët e emëruar nga OKB.

Grupi i pavarur i ekspertëve të nivelit të lartë për financimin e klimës (IHLEGCF) vlerësoi se sa para do të nevojiten për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, të cilat synojnë të kufizojnë ngrohjen e rrezikshme globale.

Raporti i ri do të paraqitet sot në samitin e klimës COP29 të OKB-së në Azerbajxhan, ndërsa udhëheqësit dhe delegatët botërorë kërkojnë të arrijnë një marrëveshje të re financiare.

Vendet më të pasura më parë premtuan 100 miliardë dollarë në vit në financa private dhe publike për të ndihmuar vendet në zhvillim të gjelbërojnë ekonomitë e tyre dhe të përshtaten me ndikimet e pashmangshme të ndryshimeve klimatike, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar Traktatin e Parisit.

Por, vendet ranë dakord që një marrëveshje e re për financimin e klimës duhet të vendoset përpara vitit 2025.

Ndërsa kombet tani i zbulojnë ato detaje në COP29, IHLEGCF tha se një total prej një trilion dollarësh duhet të derdhen në vendet në zhvillim çdo vit deri në vitin 2030, pa Kinën, për të përmbushur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit.

Brenda kësaj, grupi përshkroi sasinë e parave publike që qeveritë më të pasura do t’u duhet t’u japin vendeve në zhvillim.

>

Aktualisht, rreth 43 miliardë dollarë në vit në këtë “financim publik dypalësh” po rrjedh nga vendet e zhvilluara në ato në zhvillim, thuhet në analizë.

”Por, kjo duhet të rritet në 80 miliardë deri në 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030 që bota të përmbushë objektivat e Marrëveshjes së Parisit”, sipas ekspertëve.

Ato gjithashtu kontribuojnë me para për bankat shumëpalëshe të zhvillimit – si Banka Botërore – të cilat më pas drejtojnë financimin e klimës në vendet në zhvillim.

Për shembull, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është zotuar të shpenzojë 14,7 miliardë dollarë gjatë pesë viteve deri në vitin 2026, kryesisht përmes financimit dypalësh të klimës, por gjithashtu duke përfshirë paratë që u paguan bankave shumëpalëshe.

Për të përmbushur pjesën e tyre prej një trilion dollarësh, IHLEGCF tha se bankat shumëpalëshe do të duhet të trefishojnë flukset financiare drejt vendeve në zhvillim deri në vitin 2030 – në rreth 250 miliardë deri në 300 miliardë dollarë.

Profesori Nick Stern i Institutit Kërkimor ”Grantham” për Ndryshimet Klimatike dhe bashkëkryetar i grupit të nivelit të lartë tha se kjo është “ajo që është e nevojshme për të ofruar në Paris”.

Raporti paralajmëroi se çdo mungesë e investimeve para vitit 2030 do të ushtrojë presion të shtuar në vitet në vijim dhe për këtë arsye do të krijojë “një rrugë më të pjerrët dhe potencialisht më të kushtueshme drejt stabilitetit klimatik”.

“Sa më pak të arrijë bota tani, aq më shumë do të na duhet të investojmë më vonë”, vuri në dukje raporti./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like