Çfarë mund ta ndalojë bumin e Inteligjencës Artificiale prej 1 trilion dollarësh?

by admin
Spread the love

Një zinxhir furnizimi me rritje të shpejtë rrezikon që të zgjerohet më shumë se ç’duhet, shkruan The Economist 

 

“Rreziku i nëninvestimit është shumë më i madh se rreziku i investimit të tepërt”, tha Sundar Pichai, shefi i kompanisë Alphabet, i cili zotëron Google.

Ai, si shumë drejtues të tjerë në ditët e sotme, e kishte fjalën për Inteligjencën Artificiale. Më konkretisht, po fliste për ndërtimin e qendrave të të dhënave të Inteligjencës Artificiale, për t’i shërbyer sektorit teknologjik cloud. Bëhet fjalë për shuma të mëdha.

Shpenzimet kapitale të kompanisë Alphabet pritet të rriten me rreth 5% këtë vit, duke arritur në 48 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të shpenzohet për pajisje të lidhura me Inteligjencën Artificiale.

Zoti Pichai nuk është drejtuesi i vetëm që i ka përqendruar përpjekjet në Inteligjencën Artificiale. Në një raport për të ardhurat më 30 korrik, Satya Nadella, shefi ekzekutiv i kompanisë Microsoft, ripohoi gjithashtu planet për të shpenzuar shumë në Inteligjencën Artificiale.

Kompanitë Alphabet dhe Microsoft, së bashku me Amazon dhe Meta, do të shpenzojnë 104 miliardë dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave të Inteligjencës Artificiale këtë vit, vlerëson shoqëria analitike New Street Research.

Po të shtojmë edhe shpenzimet nga kompanitë më të vogla të teknologjisë dhe kompanitë në industri të tjera, sasia totale e qendrave të të dhënave të Inteligjencës Artificiale midis viteve 2024 dhe 2027, mund të arrijë në 1.4 trilionë dollarë.

Shkalla e këtij investimi dhe pasiguria nëse dhe kur ai do të shpërblehet, po i shqetëson aksionerët. Një ditë pasi u bënë publike rezultatet financiare të kompanisë Alphabet, treguesi teknologjik Nasdaq, ra me 4%.

Kjo ishte rënia më e madhe njëditore që nga tetori 2022. Çmimi i aksioneve të kompanisë Microsoft ra gjithashtu pas publikimit të fitimeve.

Sidoqoftë, tani për tani, gjigantët e teknologjisë nuk kanë dhënë shenja se do të pakësojnë investimet. Ky është një lajm i mirë për furnizuesit e panumërt që po përfitojnë nga bumi i Inteligjencës Artificiale.

Nvidia, një furnizues i çipave të Inteligjencës Artificiale që në qershor u bë kompania më e vlefshme në botë, ka rrëmbyer pjesën më të madhe të vëmendjes mediatike. Por zinxhiri i furnizimit të Inteligjencës Artificiale është shumë më i përhapur.

Ai përfshin me qindra firma, nga prodhuesit tajvanezë të serverëve dhe veshjet inxhinierike zvicerane, deri te ndërmarrjet amerikane të energjisë elektrike.

Shumë prej tyre kanë përjetuar një rritje të theksuar të kërkesës që nga hedhja në treg e aplikacionit ChatGPT në vitin 2022, dhe vetë po investojnë në përputhje me rrethanat. Me kalimin e kohës, ngërçet e furnizimit ose rënia e kërkesës, mund t’i lërë këto kompani me teprica.

 

 

Investimi në Inteligjencën Artificiale mund të ndahet në dy pjesë. Gjysma shkon për prodhuesit e çipave, ku kompania Nvidia është përfituesja kryesore. Pjesa tjetër shpenzohet për prodhuesit e pajisjeve që i vënë çipat në funksion, duke filluar nga pajisjet e rrjetit, deri te sistemet e ftohjes.

Për të vlerësuar zinxhirin e furnizimit të Inteligjencës Artificiale, The Economist ka shqyrtuar një grup prej 60 kompanish të tilla.

Që nga fillimi i vitit 2023, çmimi mesatar i aksioneve të kompanive të Inteligjencës Artificiale, është rritur me 103%, krahasuar me një rritje prej 42% në treguesin S&P 500 të aksioneve amerikane (shih grafikun 1).

Shitjet e pritshme për vitin 2025, janë rritur mesatarisht me 14%. Kjo krahasohet me një rritje prej 1% për firmat jofinanciare, duke përjashtuar kompanitë e teknologjisë.

Përfituesit më të mëdhenj ishin prodhuesit e çipave dhe prodhuesit e serverëve (shih grafikun 2).

Kompania Nvidia ishte përgjegjëse për pothuajse një të tretën e rritjes së shitjeve të pritshme të grupit të kompanive të Inteligjencës Artificiale. Këtë vit, ajo parashikohet të shesë çipa dhe pajisje të Inteligjencës Artificiale, me një vlerë prej 105 miliardë dollarësh, nga 48 miliardë dollarë në vitin e fundit fiskal.

Kompania AMD, rivali më i afërt i Nvidia-s, pritet të shesë çipa me vlerë prej rreth 12 miliardë dollarësh këtë vit.

Në qershor, Broadcom, një tjetër kompani që merret me prodhimin e çipave, deklaroi se të ardhurat e saj tremujore nga Inteligjenca Artificiale, u rritën me 280% në bazë vjetore, duke arritur 3.1 miliardë dollarë.

Kompania i ndihmon klientët të modelojnë çipat e tyre dhe gjithashtu shet pajisje të rrjetit. Më 25 korrik, SK Hynix, një tjetër kompani që merret me prodhimin e çipave, tha se pret që kërkesa për çipat e përparuar të memories, të dyfishohet në vitin e ardhshëm.

 

 

Kompanitë që prodhojnë serverë, gjithashtu po bëjnë fitime të mëdha. Si kompania Dell, ashtu edhe Hewlett Packard Enterprise (HPE), deklaruan në raportet e fundit të fitimeve se shitjet e serverëve të Inteligjencës Artificiale u dyfishuan në tremujorin e kaluar.

Foxconn, prodhuesi tajvanez që monton celularë iPhone për Apple, ka gjithashtu një biznes serverësh. Në maj, kompania deklaroi se shitjet e saj të Inteligjencës Artificiale ishin trefishuar vitin e kaluar.

Për firmat e tjera gjithashtu po rritet interesi, edhe pse shitjet e reja nuk janë materializuar ende. Eaton, prodhuesi i makinerive industriale, tha vitin e kaluar se është katërfishuar kërkesa e klientëve në Amerikë për produktet e saj të qendrës së të dhënave të Inteligjencës Artificiale.

Serverët e Inteligjencës Artificiale mund të kërkojnë deri në dhjetë herë më shumë energji sesa ato konvencionale.

Earl Austin Junior, shefi i kompanisë Quanta Services, që ndërton pajisje të energjisë së ripërtëritshme, kohët e fundit pranoi se rritja e kërkesës për biznesin e qendrës së të dhënave “kishte qenë e paparashikueshme”.

Kompania Vertiv, që shet sisteme të ftohjes të përdorura në qendrat e të dhënave, vuri në dukje në prill se projektet që kishin të bënin me Inteligjencën Artificiale, u dyfishuan brenda dy muajsh.

Gjithë ky interes po nxit një furi investimesh. Këtë vit, rreth dy të tretat e firmave në grupin e marrë në shqyrtim nga The Economist, pritet të rrisin shpenzimet kapitale në raport me shitjet. Shumë kompani në zinxhirin e furnizimit po ndërtojnë fabrika të reja.

Ato përfshijnë Wiwynn, prodhuesin tajvanez të serverëve, Supermicro, një kompani amerikane dhe Lumentum, shitësin amerikan të kabllove të rrjeteve. Shumë kompani po shpenzojnë më shumë për kërkim dhe zhvillim.

Disa po investojnë nëpërmjet blerjeve. Këtë muaj, kompania AMD tha se do të blinte firmën startup Silo AI, për të rritur aftësitë e saj në fushën e Inteligjencës Artificiale. Në janar, kompania HPE njoftoi se do të shpenzonte 14 miliardë dollarë për të blerë firmën Juniper Networks, e cila prodhon pajisje rrjeti.

Në dhjetor, kompania Vertiv njoftoi blerjen e firmës CoolTera, që është e specializuar në procesin e ftohjes së lëngshme. Kompania shpreson se kjo blerje do ta ndihmojë të rrisë 45 herë prodhimin e teknologjisë së ftohjes së lëngshme.

Por me rritjen e shpenzimeve, po rriten edhe kërcënimet ndaj zinxhirit të furnizimit të Inteligjencës Artificiale.

Një problem është varësia e madhe nga kompania Nvidia. Baron Fung, nga firma kërkimore Dell’Oro Group, vë në dukje se kur kompania Nvidia filloi të krijonte nga një çip të ri çdo vit dhe jo më çdo dy vjet, i gjithë zinxhiri i furnizimit duhej të përshtatej duke u përpjekur të ndërtonte linja të reja prodhimi, për të përmbushur afatet e përshpejtuara.

Shitjet e ardhshme për shumë kompani në zinxhirin e furnizimit të Inteligjencës Artificiale mbështeten në synimin për të mbajtur të lumtur kompaninë Nvidia, prodhuesin më të vlefshëm të çipave në botë.

Një kërcënim tjetër vjen nga pengesat e furnizimit, sidomos në disponueshmërinë e energjisë. Sipas një skenari nga firma Bernstein, deri në vitin 2030, mjetet e Inteligjencës Artificiale do të përdoren aq gjerësisht sa përdoret sot kërkimi në Google.

Kjo do të rriste kërkesën për energji elektrike në Amerikë me 7% në vit, në krahasim me 0.2% midis viteve 2010 dhe 2022. Do të ishte e vështirë të ndërtohej kaq shumë kapacitet energjie me shpejtësi.

Stephen Byrd nga banka Morgan Stanley vëren se në Kaliforni, ku mund të ndërtohen shumë qendra të të dhënave të Inteligjencës Artificiale, duhen gjashtë deri në dhjetë vjet për t’u lidhur me rrjetin.

Disa kompani po përpiqen të mbushin boshllëqet duke ofruar energji jashtë rrjetit. Në mars, kompania energjetike Talen Energy, i shiti Amazon një qendër të dhënash të lidhur me një termocentral bërthamor, për 650 milionë dollarë.

Firma CoreWeave, një ofrues cloud, së fundmi ka arritur një marrëveshje me firmën Bloom Energy, një prodhues i qelizave të karburantit, për të prodhuar energji në vend. Sidoqoftë, nevojat janë aq të mëdha sa që rreziku i mungesës së energjisë mbetet.

Kërcënimi më i madh për zinxhirin e furnizimit të Inteligjencës Artificiale vjen nga rënia e kërkesës.

Në qershor, Banka Goldman Sachs dhe firma e kapitalit Sequoia, publikuan raporte që vënë në pikëpyetje përfitimet e harduerëve të Inteligjencës Artificiale gjeneruese dhe si rrjedhojë, edhe vendimin e gjigantëve të kompjuterëve cloud për të bërë shpenzime aq të mëdha në këtë fushë.

Nëse fitimet e Inteligjencës Artificiale mbeten të paparashikueshme, këta gjigantë të teknologjisë mund të shkurtojnë investimet, duke e lënë të ekspozuar zinxhirin e furnizimit.

Ndërtimi i fabrikave ka sjellë kosto fikse më të larta. Në grupin e kompanive të marra në shqyrtim nga The Economist, shpenzimet mesatare për prona, impiante dhe pajisje, pritet të rriten me 14% midis viteve 2023 dhe 2025.

Disa investime mund të fillojnë të duken të dyshimta nëse kërkesa është e ngadaltë. Çmimi për blerjen e firmës Juniper Networks nga kompania HPE ishte sa dy të tretat e vlerës së tregut të blerësit, kur blerja u njoftua në janar.

Edhe pas lëkundjeve të fundit, pritshmëritë e tregut mbeten të larta. Për grupin e kompanive të marra në shqyrtim nga The Economist, raporti mesatar çmim-fitim, një matje e mënyrës sesi investitorët vlerësojnë fitimet është rritur me nëntë pikë përqindje që nga fillimi i vitit 2023.

Nëse pritshmëri të tilla do të përmbushen, mjetet e Inteligjencës Artificiale duhet të përmirësohen shpejt dhe bizneset duhet t’i vënë ato në zbatim në masë. Për shumë kompani që operojnë në zinxhirin e furnizimit të Inteligjencës Artificiale, rreziqet po rriten në mënyrë të pakëndshme.

Përktheu: Lira Muça

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like