Celularët kanë krijuar një brez plot ankth. Vetëm se… jo të rinjtë, por prindërit – Shqip

by admin
Spread the love

Sipas librit më të shitur të Jonathan Haidt, Gjenerata e Ankthit, përhapja e telefonave inteligjentë dhe ekspozimi i mëvonshëm ndaj mediave sociale mes fëmijëve dhe të rinjve ka dëmtuar mirëqenien mendore, duke rezultuar në një “brez në ankth”.
Prej këtu buron edhe titulli i Haidt.
Megjithatë, një vështrim më nga afër i të dhënave zbulon se një mendim i tillë shkon në drejtimin e gabuar. Kuptimi dhe shkaqet e rritjes së shkallës së ankthit tek të rinjtë mbeten komplekse dhe të paqarta.
Por e thënë thjesht, kur bëhet fjalë për telefonat dhe teknologjinë moderne, shpesh janë prindërit ata që janë më tepër në ankth, jo fëmijët e tyre. Pra, pjesa më e madhe e diskursit aktual për telefonat dhe të rinjtë rrjedh nga prindërit e shqetësuar, deri në pikën ku po miratohet legjislacion për të shuar frikën e tyre duke kufizuar qasjen e të rinjve në teknologji.
Problemi është se edhe studimet më të thelluara nuk kanë gjetur ende ndonjë lidhje të rëndësishme midis përdorimit të telefonit dhe problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë.

Dhe edhe kur identifikohet një lidhje, ajo është zakonisht e vogël.

Në fund të fundit, sasia e përpjekjeve që prindërit investojnë për të reduktuar rreziqet e telefonave inteligjentë për të rinjtë, është jo proporcionale në raport me dëshmitë se “rreziqe” të tilla ekzistojnë.
Duke pasur parasysh se çrregullimet e ankthit mund të përshkruhen si “gjendje që shkaktojnë frikë, dhe simptoma të tjera që janë jashtë proporcioni në raport me situatën”, mund të argumentohet se, në vend të adoleshentëve, telefonat po shkaktojnë më tepër ankth te prindërit.
Kjo manifestohet edhe në mënyra të tjera. Ekziston një besim se fëmijët duhet të inkurajohen që të lënë telefonat dhe të dalin më shumë jashtë, sepse kjo është padyshim gjëja më e shëndetshme për të bërë. Ka fushata për këtë. Por, përsëri, kjo mendësi nuk përputhet me provat aktuale.
E para, ideja që të rinjtë mund të përdorin telefonat ose të dalin jashtë është padyshim e gabuar. Nuk ekziston një dikotomi e tillë. Shumë njerëz ende i referohen atyre si telefona celularë! Transportueshmëria është padyshim një veçori kryesore e kësaj teknologjie. Por një zhytje më e thellë në studime, tregon një prirje befasuese. Koha që fëmijët kalojnë jashtë dhe distancat që ata largohen nga shtëpia kanë qenë në rënie prej dekadash, shumë kohë përpara se telefonat inteligjentë të bëheshin të kudondodhur.
Ka shumë faktorë pas kësaj tendence, si zhvillimi urban i hapësirave dikur të zbrazëta, apo sepse ka gjithnjë e më shumë makina në rrugë, që paraqesin rrezik për një fëmijë të pambikëqyrur.

Por një faktor i rëndësishëm në këtë rënie është ndryshimi i qëndrimeve prindërore. Prindërit janë bërë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre me kalimin e dekadave, duke qenë gjithnjë e më të prirur t’i kufizojnë ata nga koha e lirë të pambikëqyrur. Ndërsa kjo mund të ketë qenë për arsye të vlefshme, kufizimi i lirisë dhe lëvizjes së fëmijës çon në më shumë probleme shëndetësore në afat të gjatë.
Në fund të fundit, ankthet e shumë prindërve modernë në lidhje me sigurinë e fëmijëve të tyre dëmtojnë drejtpërdrejt shëndetin e fëmijëve të tyre.
Është një rebus.
Kjo situatë bëhet edhe më surreale kur mëson se ky trend i mbajtjes gjithnjë e më shumë të fëmijëve në ambiente të mbyllura ka ndryshuar vitet e fundit. Pse? Përgjigja më e qartë janë telefonat! Kur fëmijët kanë telefonin e tyre, prindërit mund t’i kontrollojnë ata në çdo kohë, që do të thotë se ata janë më të gatshëm t’i lënë të vegjlit larg kontrollit të tyre.
Pra, a nuk është e paarsyeshme që më pas të fajësohen telefonat për fëmijët që nuk dalin jashtë sa duhet? Po, është. E megjithatë, si me shumë faktorë që ndikojnë në dinamikën prind-adoleshent, nëse ka një problem të vërtetë në lidhje me përdorimin e telefonit (dhe kjo ndodh), një dialog i hapur është qasja më e dobishme. Sigurisht që është më e mirë se sa përpjekja për të kontrolluar sjelljen e një adoleshenti bazuar në intuitë, dyshime ose ankthe.

You may also like