BUDAPEST – Orban vendos kushtet për zgjatjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

by admin

BUDAPEST, 24 janar /ATSH-DPA/- Hungaria po vendos kushte ndaj Ukrainës në këmbim të dakortësimit për zgjatjen e sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Rusisë, afati i të cilave përfundon në fund të muajit.

Kryeministri Viktor Orban tha në radion shtetërore se Kievi duhet të rihapë tubacionin që u mbyll në fillim të vitit dhe që më parë kishte transportuar gaz natyror rus në Evropën Qendrore, përfshirë Hungarinë.

Orban tha se Ukraina duhet të ndalojë gjithashtu sulmet ushtarake në rrugën alternative përmes së cilës Hungaria merr aktualisht gazin rus, gazsjellësi “TurkStream” që kalon nëpër Ballkan. Ka pasur sulme ukrainase kundër këtij tubacioni në pikën kufitare në territorin rus.

Së fundi, ai kërkoi garanci që Ukraina nuk do të ndalonte rrjedhën e naftës nga Rusia, e cila vjen në Hungari nëpërmjet Ukrainës përmes gasjellësit “Druzhba”.

Hungaria siguron më shumë se 80% të nevojave të saj për gaz dhe naftë nga Rusia.

>

Orban mban marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin. Në dhjetor, ai sinjalizoi në Bruksel se nuk dëshironte të merrte një vendim për çështjen e zgjatjes së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë deri pas inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Orban tha sot se sanksionet e BE-së ndaj Rusisë i kanë kushtuar Hungarisë 19 miliardë euro (20 miliardë dollarë) gjatë tre viteve të fundit.

Vendimi zyrtar për zgjatjen e sanksioneve të BE-së duhet të merret unanimisht nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Çështja do të jetë në axhendën e një samiti në Bruksel javën e ardhshme, pasi afati i sanksioneve aktuale përfundon më 31 janar.

Vendimi për sanksionet duhet të merret çdo gjashtë muaj. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like