BRUKSEL, 13 janar /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve nordike dhe baltike i kanë kërkuar Komisionit Evropian – përmes një letre – të punojë për uljen e kufirit të çmimit të eksporteve të naftës ruse. Një zëdhënës i komisionit konfirmoi marrjen e komunikimit.
Kufiri i çmimit të naftës, fillimisht u ra dakord nga grupi i shtatë ekonomive kryesore (G7) në dhjetor 2022 – me synimin për të detyruar Rusinë t’u shesë naftë klientëve në vendet e tjera për një maksimum prej 60 dollarë për fuçi ose 159 litra.
Masa synon të kufizojë të ardhurat që Rusia merr nga shitja e naftës dhe të zvogëlojë kapacitetin e Kremlinit për të luftuar Ukrainën, por shpesh është kritikuar si joefektive.
Në letrën dërguar Komisionit Evropian, ministrat e Suedisë, Danimarkës, Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë argumentojnë se ulja e kufirit të çmimit ishte e nevojshme për të ulur më tej të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës.
“Në funksion të kapacitetit të kufizuar të magazinimit dhe varësisë së saj të madhe nga eksportet e energjisë për të ardhura, Rusia nuk ka alternativë ndaj vazhdimit të eksportit të naftës, madje edhe me një çmim shumë më të ulët”, sipas ministrave të Jashtëm.
Gjashtë vendet thanë gjithashtu se kufiri tani mund të vendosej me siguri në një prag më të ulët – pasi tregu ndërkombëtar i naftës tani është i furnizuar më mirë se dy vjet më parë, duke reduktuar rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit.
Ministrat i kërkuan komisionit të punojë drejt një kufiri më të ulët të çmimeve në takimet me G7. //a.i/