BRUKSEL, 30 tetor /ATSH-DPA/- Vendet anëtare të BE-së duhet të rrisin gatishmërinë e tyre të sigurisë për një epokë të re dhe të paqëndrueshme, tha sot ish-presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto në një konferencë për shtyp në Bruksel.
“Paqja mund të ketë qenë “e vetëkuptueshme” dhe është marrë si e mirëqenë në të kaluarën, por kjo nuk mund të jetë më kështu”, tha Niinisto.
Ish-presidenti finlandez u ngarkua nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për të hartuar një plan – për gatishmërinë civile dhe ushtarake të bllokut.
Duke përmendur kërcënimin në rritje të ndryshimeve klimatike dhe një Rusie agresive që po bën luftë në kufijtë e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Niinisto tha se blloku duhet të jetë i përgatitur për të gjitha rreziqet.
“Kjo kërkon jo vetëm “qasjen e të gjithë qeverisë”, por edhe kontributin e bizneseve private, shoqërisë së gjerë – duke përfshirë qytetarët individualë”, tha Niinisto.
“Krizat nuk ndodhin në kapanone”, shtoi ai.
Ish-presidenti finlandez tha se nevojiteshin investime të mëdha, dhe se këto shpenzime për “gatishmërinë civile dhe ushtarake” duhej të përfshiheshin në të gjitha fushat buxhetore të BE-së, si financimi për ndryshimet klimatike.
Niinisto theksoi se vendet e BE-së duhet ta bënin shërbimin ushtarak një karrierë më tërheqëse, duke vënë në dukje se BE-së i mungonin 1 milion profesionistë të sigurisë kibernetike, si shembull.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një bashkëpunim më të madh midis BE-së dhe NATO-s – dhe tha se nevojitej një bashkëpunim më i madh midis shërbimeve të inteligjencës së vendeve anëtare të BE-së për të kundërshtuar kërcënimet hibride kundër infrastrukturës energjetike.
“Ne duhet të jemi në gjendje t’i bëjmë autorët të paguajnë një çmim të lartë për sulmet kundër BE-së”, tha ai./ /a.i/