BRUKSEL – NATO nis manovrat vjetore, ndërsa Moska i kritikon fuqishëm

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 14 tetor /ATSH-DPA/- NATO filloi sot manovrat e saj vjetore bërthamore, me pjesëmarrjen e rreth 2 000 ushtarakëve nga tetë baza ajrore që do të marrin pjesë gjatë dy javëve të ardhshme.

Manovra “Steadfast Noon” përfshin 60 avionë që marrin pjesë në fluturime stërvitore mbi Evropën Perëndimore. Këto përfshijnë avionë luftarakë të aftë për të transportuar bomba bërthamore amerikane të stacionuara në Evropë dhe bombardues me rreze të gjatë, si dhe aeroplanë vëzhgimi dhe furnizimi me karburant.

Kremlini ka kritikuar NATO-n se po nxit tensionet rreth luftës në Ukrainë me manovrat e saj vjetore të parandalimit bërthamor.

“Në kontekstin e luftës së nxehtë që po zhvillohet në konfliktin e Ukrainës, manovra të tilla vetëm çojnë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për agjencinë ruse Interfax.

Rusia ka kryer vazhdimisht manovrat e saj bërthamore gjatë dy viteve e gjysmë të fundit dhe ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore nëse kapërcehen disa “vija të kuqe”.

NATO theksoi se “Steadfast Noon” është një aktivitet stërvitor rutinë dhe i përsëritur dhe jo një përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës – pasi asnjë nga stërvitjet nuk do të përfshijë armë të vërteta. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like