BRUKSEL – NATO: Ndihma ushtarake për Ukrainën me vlerë mbi 20 miliardë euro në rrugën e duhur

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 16 tetor /ATSH-DPA/- Aleatët e NATO-s, në gjysmën e parë të 2024, i dhanë Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë 20,9 miliardë euro, tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte.

“Aleatët e NATO-s janë gjithashtu në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimet e tyre për pjesën tjetër të vitit”, tha Rutte në një konferencë për shtyp përpara një takimi dyditor të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm po i referohej një premtimi të liderëve të NATO-s në një samit në Uashington – për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake vjetore me vlerë të paktën 40 miliardë euro, një shumë që u llogarit në bazë të ndihmës së dhënë në vitin 2023.

Premtimi për ndihmën ushtarake ishte pjesë e planit të NATO-s për të siguruar mbështetjen për Ukrainën – në rast se kandidati republikan presidencial i SHBA-së, Donald Trump – një kritik i hapur i mbështetjes perëndimore – kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, zotimi prej 40 miliardë eurosh nuk është një angazhim financiar shumëvjeçar. Aleatët e NATO-s do të rishikojnë angazhimin e ndihmës ushtarake vitin e ardhshëm.

>

“Në të ardhmen, duhet të ketë një vendim të qartë nga NATO për të vazhduar me ofrimin e ndihmës ushtarake në këtë vlerë”, tha Rutte.

Sekretari i përgjithshëm tha se aleanca ishte në rrugën e duhur për të përmbushur pjesën tjetër të angazhimeve të saj për vitin 2024.

“Ndihma ushtarake tregon se NATO po e mban premtimin ndaj Ukrainës dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

NATO nuk pranoi të publikonte një ndarje të saktë të shumës totale prej 20,9 miliardë eurosh nga aleatët për shkak të kundërshtimit nga aleatët. / /a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like