BRUKSEL – NATO: Dënojmë vendimet e Rusisë dhe DPRK-së për të zgjeruar luftën e paprovokuar në Ukrainë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 8 nëntor /ATSH/- Aleatët e NATO-s dënojnë fuqishëm vendimet e liderëve të Federatës Ruse dhe të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) – për të zgjeruar në mënyrë të rrezikshme luftën e paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, sipas deklaratës sëKëshillit të Atlantikut të Veriut për Republikën Popullore Demokratike të Koresë.

“Përveç mbështetjes tashmë thelbësore të DPRK-së për përpjekjet luftarake të Rusisë, përmes ofrimit të miliona municioneve dhe raketave balistike, mijëra trupa luftarake të dislokuara nga DPRK-ja – përbëjnë një zgjerim të rrezikshëm të mbështetjes së saj të vazhdueshme për luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainë.

Thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe DPRK-së ndikon thellë në sigurinë euro-atlantike, me implikime edhe për Indo-Paqësorin.

Rritja e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe DPRK-së është një shkelje e rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përfshirë 2270 (2016), 1718 (2006) dhe 1874 (2009).

Kjo është veçanërisht skandaloze duke pasur parasysh statusin e Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të kthehet në përputhje me këto rezoluta dhe të mbajë detyrimet e saj ndërkombëtare.

Deklarata e Rusisë më 26 shtator që pohon se denuklearizimi i DPRK-së është “jashtë tryezës së bisedimeve” – kjo është e papranueshme, pasi minon regjimin global të mospërhapjes, kundërshton drejtpërdrejt rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përkeqëson më tej tensionet rajonale.

>

Deklarata ruse është pjesë e përpjekjes së saj më të gjerë për të minuar regjimin global të mospërhapjes dhe për të shpërbërë sanksionet e OKB-së.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të mos ofrojnë asnjë lloj ndihme ndaj agresionit të Rusisë dhe dënojmë të gjithë ata që po lehtësojnë – dhe në këtë mënyrë po zgjasin luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës.

NATO do të vazhdojë të punojë me partnerët e saj, veçanërisht në Indo-Paqësorin, për të promovuar paqen dhe stabilitetin dhe për të parandaluar Rusinë dhe ata që lehtësojnë përpjekjet e saj të luftës që të minojnë stabilitetin rajonal dhe global.

Aleatët vazhdojnë të rrisin përpjekjet për parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s kundër të gjitha kërcënimeve dhe sfidave, në të gjitha fushat dhe drejtimet e shumta strategjike në të gjithë zonën Euro-Atlantike.

Aleatët mbeten të vendosur si kurrë më parë në mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa duhet që Ukraina të mbizotërojë.

Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të rrisin ndihmën jetike politike, ushtarake, financiare, ekonomike dhe humanitare – ndërsa Ukraina ushtron të drejtën e saj të natyrshme për vetëmbrojtje, siç parashikohet në nenin 51 të Kartës së OKB-së.

Aleatët janë të vendosur të mbështesin Ukrainën në ndërtimin e një force të aftë për të mposhtur agresionin rus, në përputhje me premtimin për ndihmën afatgjatë të sigurisë për Ukrainën”, thuhet në deklaratën e NATO-s. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like