BRUKSEL – Meloni prezanton marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrat e emigrantëve

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 17 tetor /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja Giorgia Meloni prezantoi sot marrëveshjen që qeveria e saj ka arritur me Tiranën për qendrat e emigrantëve të drejtuar nga italianët në territorin shqiptar, gjatë një takimi jozyrtar për migracionin me 10 shtetet anëtare në Bruksel përpara samitit të BE-së, tha zyra e saj.

“Meloni, së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe kryeministrin holandez, Dick Schoof, mbajtën një takim jozyrtar këtë mëngjes me disa nga shtetet anëtare që kanë më shumë interes për çështjen e migracionit dhe në veçanti çështjen e zgjidhjeve inovative”, thuhet nga zyra e kryeministres.

“Përveç Italisë, Danimarkës, Holandës dhe Komisionit Evropian, në takim morën pjesë edhe liderët e Austrisë, Qipros, Republikës Çeke, Greqisë, Hungarisë, Maltës, Polonisë dhe Sllovakisë”, shton kjo zyrë.

>

“Në veçanti, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshkroi pikat kryesore të veprimit të treguara në letrën e së hënës mbi migracionin, duke përfshirë çështjen e zgjidhjeve inovative. Meloni prezantoi marrëveshjen Itali-Shqipëri, një ditë pas mbërritjes së emigrantëve të parë të parregullt në portin e Shëngjinit, duke nënvizuar rolin e saj në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore”, thekson ajo.

Diskutimi i liderëve u fokusua në konceptin “vend i tretë i sigurt”, përpara zbatimit të rregullave sipas Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin dhe në bashkëpunimin përgjatë rrugëve të migracionit me UNHCR-në dhe IOM-in në lidhje me kthimet vullnetare të asistuara si dhe në qendrat e kthimit.

“Udhëheqësit e pranishëm ranë dakord të vazhdojnë të mbajnë një koordinim të ngushtë operacional, gjithashtu në funksion të takimeve të ardhshme të Këshillit Evropian, me synimin për të forcuar politikën e migracionit të Bashkimit Evropian dhe për ta bërë atë gjithnjë e më efektive”, përfundon zyra e kryeministres Meloni./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like