BRUKSEL – BE: Të alarmuar për pjesëmarrjen e trupave koreano-veriore në konfliktin ruso-ukrainas

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 24 tetor /ATSH-ANSA/ – Bashkimi Evropian është thellësisht i alarmuar nga raportet se Koreja e Veriut po dërgon trupa për të marrë pjesë në luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell në emër të 27 vendeve.

“Kjo do të përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare duke përfshirë parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe do të ishte një akt armiqësor i njëanshëm nga një palë me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë evropiane dhe në mbarë botën”, shton ai.

>

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak dhe transfertave të armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, të cilat qartazi shkelin rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. BE-ja i kërkon Koresë së Veriut të ndalojë mbështetjen e përpjekjeve të paligjshme të luftës të Rusisë”, theksoi Borrell.

“Përshkallëzimi i bashkëpunimit ushtarak të Rusisë me Korenë e Veriut dërgon një mesazh të qartë: Pavarësisht vullnetit të saj të deklaruar për të negociuar, Rusia nuk është sinqerisht e interesuar për një paqe të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, përkundrazi, Rusia po përshkallëzon dhe po kërkon dëshpërimisht çdo ndihmë në luftën e saj, përfshirë edhe aktorët që po shqetësojnë seriozisht paqen dhe sigurinë globale”, tha ai më tej.

“Për më tepër, me ndryshimin shqetësues të qëndrimit për denuklearizimin e Koresë së Veriut, siç u shpreh ministri i Jashtëm Lavrov, Rusia heq dorë nga detyrimet e saj themelore sipas Traktatit të Mospërhapjes, duke përfshirë parandalimin e përhapjes bërthamore, dhe shkel rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë mënyrë, Rusia po komprometon përgjegjësitë e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara”, shtoi Borrell./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like