
BRUKSEL, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian njoftoi sot sanksione të reja kundër gjashtë individëve dhe një organizate paraushtarake, të cilët akuzohen për minimin e ligjit të së drejtës, stabilitetit dhe sigurisë në Moldavi.
“Moldavia është një nga vendet më të prekura nga pasojat e pushtimit ilegal rus në Ukrainë. Ekzistojnë përpjekje serioze, të shtuara dhe të vazhdueshme për të destabilizuar vendin”, tha shefi i marrëdhënieve të jashtme të BE-së, Josep Borrell në një deklaratë për shtyp.
Siguria e Moldavisë ka qenë në fokus të axhendës së BE-së që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainën fqinje dy vjet më parë.
Rusia ruan një prani ushtarake në Transnistria, një shtet i panjohur që ka pushtuar një pjesë të Moldavisë lindore, në kufirin e saj me Ukrainën, që nga viti 1990.
Individët e përfshirë në listën e sanksioneve do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve në BE.
“Me kërkesë të Moldavisë, BE-ja miratoi një regjim të ri sanksionesh në prill për të ngrirë asetet e atyre që kërcënojnë sovranitetin dhe pavarësinë e ish-republikës sovjetike dhe demokracinë, ligjin e së drejtës, stabilitetin dhe sigurinë e saj”, sipas një njoftimi për shtyp të BE-së.
Lista e publikuar sot përbën grupin e dytë të sanksioneve të vendosura nga BE-ja. //a.i/