
BRUKSEL, 9 nëntor /ATSH-ANSA/ – Parlamenti Evropian, në një rezolutë të miratuar sot, bëri thirrje për zbatim më të rreptë të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Ligjvënësit e BE-së u kanë kërkuar vendeve anëtare të përmirësojnë zbatimin e sanksioneve, të plotësojnë boshllëqet në legjislacionin ekzistues dhe të vendosin kufizime të mëtejshme për importet e karburanteve fosile nga Rusia.
Parlamenti bëri thirrje gjithashtu për një pezullim total të importeve të karburanteve fosile. Deri më tani, importi i qymyrit dhe, me disa përjashtime, i naftës është i ndaluar nga masat kufizuese të vendosura ndaj Moskës pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022.
Ligjvënësit theksuan në rezolutën e tyre se pavarësisht sanksioneve ekzistuese, BE-ja mbetet një nga klientët më të mëdhenj të karburanteve fosile të Rusisë për shkak të zbrazëtirave dhe përjashtimeve të shumta. /os/