BM – Mbi 600 refugjatë kaluan La Manshin, një ditë pas vdekjes së foshnjes në brigjet franceze

by admin
Spread the love

LONDËR, 19 tetor /ATSH-DPA/- Më shumë se 600 njerëz kaluan dje La Manshin me varka të vogla, një ditë pasi një foshnjë vdiq gjatë udhëtimit.

Shifrat e publikuara nga Zyra e Brendshme e Britanisë së Madhe tregojnë se 647 persona kaluan me 10 varka, duke e çuar totalin në 2024 në mbi 28 000.

Kalimet e së premtes erdhën pasi autoritetet franceze njoftuan vdekjen e një foshnje në brigjet e Wissant në rajonin Pas-de-Calais, të enjten në mbrëmje.

Kjo ishte vdekja e 45-të e raportuar nga rojet bregdetare franceze deri më tani në 2024, ndërsa organizatat bamirëse të refugjatëve kanë paralajmëruar se kalimet në Kanalin e La Manshin po bëheshin më të rrezikshme.

>

Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve tha se kishte pasur më shumë vdekje këtë vit sesa në tre vitet e mëparshme së bashku.

Kalimet e së premtes e çojnë numrin e përgjithshëm të refugjatëve këtë vit në 28 204, pothuajse 8% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por 25% më poshtë se në vitin e pikut të 2022.

Që nga ardhja e laburistëve në pushtet, 14 630 refugjatë kanë kaluar La Manshin  saktësisht totali i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe 10 000 më pak se e njëjta periudhë në 2022. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like