BH – Von der Leyen: BE financon 20 milionë euro për zonat e prekura nga përmbytjet

by admin
Spread the love

SARAJEVË, 28 tetor /ATSH-AA/ – Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha sot në Sarajevë se Bosnjë e Hercegovina ka treguar shumë herë në të kaluarën se mund të arrijë rezultate në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) kur vepron e bashkuar.

Në kuadër të vizitës së saj në BeH, Von der Leyen zhvilloi takim me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, ndërsa para kësaj u takua edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së.

Pasditen e së enjtes ajo vizitoi Jabllanicën, e cila ka pësuar më së shumti nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e fundit të dheut.

Presidentja e KE-së shprehu edhe një herë ngushëllimet e saj për familjarët e viktimave të përmbytjeve të fundit në BeH.

“Ishte e dhimbshme të shihja shkallën e fatkeqësisë në zonën e Jabllanicës. Dua t’u dërgoj mesazh të gjithëve se BE-ja ishte me ju dhe se ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje. Ju gjithashtu aktivizuat mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe brenda atij mekanizmi, shumë vende u përgjigjën menjëherë, gjë që tregon se sa miq ka Bosnjë e Hercegovina”, tha Von der Leyen në konferencën për media.

Ajo vuri në dukje se BE-ja do të konsiderojë gjithashtu dhënien e ndihmës për BeH-në nga Fondi i Solidaritetit, i cili është në dispozicion të vendeve anëtare në rast të fatkeqësive natyrore.

“Fondi i Solidaritetit është fond që përdoret rregullisht nga vendet anëtare në rast fatkeqësish dhe katastrofash, por është i hapur edhe për vendet që kanë statusin e kandidatit. Sigurisht që do ta konsiderojmë këtë, por përveç kësaj, menduam se keni nevojë për ndihmë menjëherë dhe për këtë kemi marrë vendimin që menjëherë, pa vonesë, të mobilizojmë fondet në shumën prej 20 milionë eurosh, pasuar nga faza e rikuperimit dhe rehabilitimit, e cila do të mbështetet përmes Fondit të Solidaritetit”, tha Von der Leyen.

>

Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e BeH-së në rrugën evropiane.

“Ky vend ka bërë një rrugë të gjatë me punë të palodhur dhe ju më në fund keni arritur statusin e kandidatit. Është marrë edhe vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ka mbetur edhe shumë, por e di që ju po punoni shumë në miratimin e ligjeve. Prandaj, uroj sinqerisht që ky vend të bëjë hapa në rrugën evropiane”, tha ajo.

Von der Leyen theksoi se është shumë e rëndësishme që Bosnjë e Hercegovina të veprojë e bashkuar që të mund të zbatojë reformat në mënyrë më efikase dhe të arrijë rezultate në rrugën evropiane.

“Bosnjë e Hercegovina ka treguar shumë herë në të kaluarën se mund të arrijë rezultate kur vepron dhe performon në mënyrë unike dhe shpresoj se do të shohim edhe më shumë një qasje të tillë unike në të ardhmen”, tha Von der Leyen.

Ajo tha se çështja e zgjerimit të BE-së do të jetë prioritet absolut gjatë mandatit të saj të dytë.

“Është absolutisht thelbësore që ne të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë me të gjitha instrumentet dhe mjetet dhe mjetet që kemi në dispozicion për ta bërë atë realitet. Jam e vendosur që ky do të jetë me të vërtetë një hap i vërtetë, i përbashkët përpara së bashku me Bosnjë e Hercegovinën”, nënvizoi presidentja e KE-së.

Më pas ajo theksoi rëndësinë e dy nismave, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është udhërrëfyesi ynë, i cili duhet të mundësojë integrimin e disa aktiviteteve ekonomike në tregun tonë të përbashkët, në tregun e Bashkimit Evropian. Pra, ne po hapim tregun për kompanitë nga Bosnjë e Hercegovina në aspektin e aksesit, por natyrisht, janë të nevojshme reforma të caktuara që të kemi kushte të barabarta, dhe reformat shoqërohen me burime financiare që do të sigurohen. Ne jemi në dispozicionin tuaj për të finalizuar së bashku Planin e Rritjes. BeH me të vërtetë e meriton këtë mundësi”, tha Von der Leyen dhe shtoi se ”një iniciativë tjetër që dua të përmend është edhe Plani i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili tashmë është në vitin e katërt. Deri më tani ka treguar rezultate të qëndrueshme, duke mobilizuar mbi tre miliardë euro investime, para së gjithash në aspektin e energjisë së pastër. Ju e dini se BE-ja ka vendosur një objektiv për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050. Sigurisht që ne duhet të punojmë, jo vetëm me vendet tona anëtare, por edhe me ato që aspirojnë anëtarësimin, për të punuar së bashku për këtë qëllim të neutralitetit të karbonit”./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like