BERLIN, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka besim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin aleancën e mbrojtjes, edhe nëse Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i SHBA-së.
Rutte, në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ZDF dje në mbrëmje, tha se ai beson se kandidatët e SHBA-së dhe presidencialë, Donald Trump dhe Kamala Harris mbështesin NATO-n.
Intervista e tij vjen ndërsa votuesit amerikanë shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e ri.
Më shumë se 75 milionë qytetarë kanë votuar tashmë, por pjesa e mbetur e rreth 240 milionë votuesve me të drejtë vote – duhet të hedhin votën e tyre sot për t’u numëruar.
“Ashtu si republikanët edhe demokratët e kuptojnë se NATO i shërben jo vetëm sigurisë së Evropës, por edhe sigurisë së SHBA-së”, tha shefi i NATO-s, duke shtuar se një president duhet të sigurojë që vendi i tij të jetë i sigurt.
Rutte tha se të dy kandidatët janë të vetëdijshëm se siguria e SHBA-së është e lidhur ngushtë me NATO-n.
Deklaratat e Trump në të kaluarën kanë ngritur dyshime nëse SHBA-ja, nën udhëheqjen e tij, do t’i përmbahej plotësisht angazhimeve të aleancës për mbrojtjen e ndërsjellë.
Trump madje ka kërcënuar disa herë se do të tërhiqte SHBA-në nga NATO.
Rutte, një ish-kryeministër holandez, mori postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s më 1 tetor, dhe dje zhvilloi vizitën e tij inauguruese në Gjermani në cilësinë e shefit të aleancës.
Rutte thuhet se ka pasur një marrëdhënie relativisht të mirë me Trump. Gjatë një takimi në vitin 2019, Trump tha se ai dhe kryeministri i atëhershëm holandez ishin bërë miq.//a.i/