BERLIN – Gjermania rrit dërgesat e armatimeve në Izrael

by admin
Spread the love

BERLIN, 16 tetor /ATSH-DPA/- Gjatë tetë javëve të fundit, qeveria gjermane ka miratuar eksporte të pajisjeve ushtarake dhe municioneve në Izrael me vlerë rreth 31 milionë euro – dy herë më shumë se gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit.

“Licensat e eksportit për armatimet e prodhimit gjerman me vlerë 45,74 milionë euro të destinuara për në Izrael ishin lëshuar deri më 13 tetor”, sipas një raporti të Ministrisë së Ekonomisë.

“Deri më 21 gusht, vlera totale ishte 14,46 milionë euro”, tha ministria.

Ministria tha se shifrat ishin provizore dhe mund t’i nënshtroheshin rishikimit ose korrigjimit.

Nuk është e qartë se çfarë lloj armatimesh dhe pajisjesh ushtarake përfshihen në dërgesat në Izrael.

>

Ministria nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme, duke përmendur konfidencialitetin e vendimeve për licensat e eksportit të marra nga Këshilli Federal i Sigurimit.

“Nuk ka asnjë ndalim për eksportet e armëve në Izrael”, përsëriti ministria në raportin e saj drejtuar komitetit.

“Duke bërë këtë, qeveria federale merr parasysh pajtueshmërinë me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe situatën aktuale në rajon, duke përfshirë përshkallëzimin e shkaktuar nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit, sulmet nga Hamasi dhe Hezbollahu ndaj Izraelit dhe rrjedhën e operacionit në Gazë dhe Libani”, thuhet në raport.

Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi dërgesat e mëtejshme të armëve në Izrael të enjten në parlament. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like