BEOGRAD – Von der Leyen: Ardhja ime këtu një shenjë se e ardhmja e Serbisë është në BE

by admin
Spread the love

BEOGRAD, 25 tetor /ATSH-TANJUG/ – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot se mbërritja e saj në Serbi si pjesë e turit të saj të katërt në Ballkanin Perëndimor që nga fillimi i mandatit të saj të parë është një shenjë shumë e qartë se ajo beson se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian.

Këtë ajo e ka thënë duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe cili është qëndrimi i saj për pjesëmarrjen e delegacionit serb në takimin e BRICS-it në Kazan.

“Presidenti i Serbisë më priti sot këtu, ai ka pritur edhe kryeministrat e Greqisë dhe Polonisë më parë dhe kjo flet vetë. Ardhja ime këtu është një shenjë se besoj se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian, një e ardhme e vlerave të përbashkëta, ku Serbia do të gëzojë të drejtat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Ajo shtoi se Vuçiç ndërmori hapa të shumtë për ta kuptuar këtë dhe se fakti i rëndësishëm është se ai u takua me të sot dhe më herët me liderët e BE-së në vend që të ishte diku tjetër.

>

“Së fundi, ne jemi një bashkim demokratik i vendeve që janë anëtarësuar vullnetarisht dhe i takon popullit të Serbisë që të vendosë për të ardhmen. Mendoj se veprimet, progresi dhe projektet që i realizojmë së bashku flasin për të punuar drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha Von der Leyen.

Ajo kujtoi se BE-ja është partneri dhe investitori numër një tregtar i Serbisë duke theksuar se treguesit ekonomikë të vendit janë duke u përmirësuar.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ajo theksoi se partneriteti mes BE-së dhe Serbisë po forcohet.

Presidentja e KE-së theksoi veçanërisht tre iniciativa, ndër të cilat është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili sipas saj, duhet t’i afrojë ekonomitë e rajonit me ekonominë e BE-së dhe të integrojë tregun rajonal me tregun e përbashkët evropian.

“Parimi është shumë i thjeshtë. Ne po hapim dyert për kompanitë serbe në sektorë të veçantë. Në këmbim nevojiten reforma për hir të kushteve të drejta në treg, të cilat do të mbështeten nga investime shtesë nga BE-ja”, tha von der Leyen./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like