BEJRUT, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Sulmet ajrore izraelite vranë 52 persona në Libanin lindor, deklaroi ministria e Shëndetësisë e Libanit, ndërsa sulmet ajrore në Bejrut u përshkruan si “apokaliptike” nga banorët vendas.
”Në Libanin lindor, 72 persona të tjerë u plagosën në sulmet që synuan 14 zona të ndryshme në provincën Baalbek-Hermel”, shtoi ministria.
Numri më i lartë u regjistrua në qytetin Amhaz të provincës, ku u vranë 12 persona, sipas deklaratës së ministrisë.
Të paktën 11 sulme ajrore goditën distriktin Dahiyeh që nga ora 2 e mëngjesit sipas burimeve libaneze të sigurisë dhe dëshmitarëve okularë.
Ushtria izraelite tha se sulmet e forcave ajrore kishin shënjestruar objektet e prodhimit të armëve të Hezbollahut dhe qendrat komanduese në zonën e Bejrutit, duke akuzuar milicinë libaneze për ruajtjen e qëllimshme të armëve të përdorura për sulme kundër Izraelit në zonat civile.
Një dron izraelit goditi gjithashtu një apartament në Qumatiya në lagjen Aley, rreth 20 kilometra në juglindje të kryeqytetit, duke vrarë të paktën dy persona, duke përfshirë një pjesëtar të milicisë së Hezbollahut, thanë burimet e sigurisë.
Vetëm disa orë më parë, ushtria izraelite njoftoi se do të sulmonte objektet e Hezbollahut në Bejrutin jugor, një bastion i milicisë së mbështetur nga Irani. /os/