BEJRUT, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Libani ka marrë një propozim me shkrim nga Franca që synon të ndalojë përleshjet kufitare midis luftëtarëve pro-iranianë të Hezbollahut dhe ushtarëve izraelitë, tha një burim i qeverisë libaneze.
“Mund të konfirmoj se Libani mori propozimin, që kërkon kryesisht që Hezbollahu të tërheqë luftëtarët e tij rreth 10 kilometra nga kufiri me Izraelin”, tha burimi, i cili kërkoi anonimitetin.
Dokumenti u dorëzua nga ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné, i cili vizitoi Bejrutin javën e kaluar.
Burimi shtoi se dokumenti iu dorëzua kryeministrit libanez Nagib Mikati, ministrit të Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Nabhi Berri, i cili është i afërt me Hezbollahun.
Propozimi francez thuhet se përcakton që Hezbollahu duhet të tërheqë luftëtarët e tij elitë, kryesisht anëtarë të brigadës Radwan, nga zonat afër kufirit me Izraelin në Libanin jugor.//a.i/