BE fton Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit – Shqip

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit.

Një thirrje të tillë e ka bërë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për medie. Duke rikapituluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano ka theksuar se etiketimi i Projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij, derisa ka shprehur keqardhje që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin evropian.

“Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023”, ka thënë Stano.

Sipas tij, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013 dhe 2015, statuti për themelimin e Asociacionit duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog.

“Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, ka theksuar tutje Stano.

>

Ai tutje ka thënë se në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së.

“Ky draft-statut evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësi i BE-së së bashku me këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së. Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim draft-statutin evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje zyrtare e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, ka thënë Stano.

Sipas tij, etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij.

“Na vjen keq që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me Draft Statutin Evropian. Në përputhje me riangazhimin e saj zyrtar ndaj dialogut dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut të 20 shtatorit 2024, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e saj pa vonesa të mëtejshme. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në draft-statutin evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka nënvizuar Stano.

You may also like