LONDËR, 10 janar /ATSH/- Zjarret që kanë shpërthyer në Los Anxheles kanë çuar në pretendimet se zyrtarët kanë keqmenaxhuar përgatitjen e qytetit për ngjarje të tilla, sipas BBC.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka drejtuar gishtin ndaj guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, duke e bërë atë përgjegjës për problemet e furnizimit me ujë në Los Anxheles.
Të tjerë kanë fajësuar kryebashkiakun e Los Anxhelesit, Karen Bass për reduktimin e buxhetit të Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit.
Çfarë ka pretenduar Trump?
Në një postim në media sociale të mërkurën, Trump tha se guvernatori Newsom kishte refuzuar të nënshkruante deklaratën e restaurimit të furnizimit me ujë – që do të siguronte miliona litra ujë për të shuar zjarret.
Por deklarata specifike që ai përmend nuk duket se ekziston.
“Nuk ka asnjë dokument të tillë si deklarata e restaurimit të ujit – ky është trillim i pastër”, tha zyra e shtypit të guvernatorit në një deklaratë.
Newsom, një demokrat, ka kundërshtuar më herët përpjekjet për të furnizuar më shumë ujë në Kaliforninë jugore.
Kjo përfshin një memorandum presidencial të vitit 2020, në të cilin Trump kërkoi të devijonte ujin nga Kalifornia Veriore në tokat bujqësore më në jug.
Alarmi i evakuimit nga zjarri preku miliona banore në Los Anxheles.
Aktori Mel Gibson tha se shtëpia e tij ishte djegur nga zjarret në Los Anxheles.
Dëmet nga zjarri do të kushtojnë 135 miliardë dollarë, një shifër rekord.
Newsom e kundërshtoi këtë në atë kohë, duke thënë se ai donte të mbronte speciet e peshqve që rrezikonin të zhdukeshin.
“Kjo është ajo që Trump i referohet në postimin e tij duke fajësuar Newsom për përgjigjen ndaj zjarreve, ku ai thotë se guvernatori “dëshironte të mbronte një peshk të pavlerë”, konfirmoi zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë bllokoi përfundimisht masën, duke përmendur dëmtimin e mundshëm të specieve të rrezikuara dhe duke thënë se nuk ishte i justifikuar shkencërisht.
Ekspertët thanë se ky vendim nuk ka ndikuar në përpjekjet për të trajtuar këto zjarre.
“Kalifornia nuk po përjeton mungesë të furnizimit me ujë për momentin, as në Kaliforninë jugore apo gjetkë”, tha Daniel Swain, një shkencëtar klimatik në Institutin e Kalifornisë për Burimet Ujore.
“Ka ujë mjaftushëm në rezervuarë për shuarjen e zjarrit”, shtoi ai.
Megjithëse Kalifornia jugore aktualisht po përjeton një thatësirë, të dhënat tregojnë se rezervuarët e saj janë pothuajse mbi mesataren historike për këtë periudhë të vitit.
Asnjë nuk është në nivele dukshëm të ulëta.
“Një rezervuar i madh në Palisades të Paqësorit, rezervuari Santa Ynez, u mbyll për mirëmbajtje dhe u zbraz kur shpërtheu zjarri”, raportoi LA Times.
Zyrtarët e Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Anxheles (DWP) thanë se nëse rezervuari Santa Ynez do të ishte funksional, mund të kishte rritur furnizimin me ujë.
A ka patur ujë për zjarrfikësit?
Trump ka thënë gjithashtu se nuk kishte ujë për zjarrfikëset. Ka pasur raporte se disa prej tyre kane patur mungesa.
Në Pasadena, shefi i zjarrfikësve, Chad Augustin tha se zona kishte përjetuar një periudhë të shkurtër kohe ku presioni i ujit ishte i vogël.
A e reduktoi kryetarja e bashkisë së Los Anxhelesit buxhetin e zjarrfikësve?
Kryetarja e Los Anxhelesit, Karen Bass është përballur me kritika për reduktimin e buxhetit të departamentit të zjarrfikësve të qytetit.
Për vitin e fundit financiar, buxheti i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelesit (LAFD) u reduktua me 17,6 milion dollarë.
Crowley, paralajmëroi se reduktimi i buxhetit kishte kufizuar kapacitetin e departamentit për t’u përgatitur, trajnuar dhe për t’iu përgjigjur emergjencave në shkallë të gjerë, të tilla si zjarret.
Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelesi ka një buxhet të përgjithshëm prej pothuajse 820 milion dollarë dhe nuk është i vetmi departament që u përgjigjet zjarreve.
Për shembull, Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri i Kalifornisë dhe Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelesit janë pjesë e përpjekjeve të ndihmës, së bashku me qeverinë federale. //a.i/