ATHINË, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u gjend papritur përballë kërkesave të reja për kompensim nga Greqia.
Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou i kujtoi Steinmeier dëmin që pësoi vendi i saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe një kosto që Greqia i pagoi Gjermanisë së Adolf Hitlerit.
”Çështja e reparacioneve të luftës është ende shumë e rëndësishme për popullin grek”, theksoi Sakellaropoulou.
Greqia, e cila u sulmua dhe u pushtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga trupat aleate italiane dhe gjermane, ka kërkuar prej kohësh dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe shlyerjen e huasë së detyruar nga Gjermania.
Steinmeier pranoi përgjegjësinë e Gjermanisë për “mizoritë” e kryera para dhe gjatë luftës, por ”hodhi poshtë mundësinë e reparacioneve të mëtejshme”.
“Ne kemi një pikëpamje të ndryshme për çështjen ligjore që ju ngritët. Ju e dini se Gjermania e konsideron çështjen ligjore të reparacioneve të mbyllura sipas ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, ne mbajmë përgjegjësinë tonë historike dhe morale”, theksoi ai.
Steinmeier theksoi angazhimin e Gjermanisë për ndërtimin e një muzeu të Holokaustit në qytetin grek të Selanikut.
”Krimet gjermane në Greqi janë një temë e vështirë që ende luan një rol në marrëdhëniet tona aktuale dhe të cilën ne nuk duhet ta shmangim, prandaj edhe unë i kushtoj hapësirë gjatë kësaj vizite”, theksoi Steinmeier./ /os/