Asnjë si ai te Juventusi, pse Mota ka varësi nga Vlahoviç

by admin
Spread the love

Dushan Vlahoviç mund të konsiderohet si lojtari më i rëndësishëm i Juventusit për momentin.Jo gjithmonë arrin të bëjë diferencën në fushë, por në situatën që ndodhet “Zonja e Vjetër”, aktivizimi i sulmuesit serb është një domosdoshmëri. Pa asnjë alternativë për ta zëvendësuar, serbit i “ka ngecur’ fanella e titullarit. Jo më kot ai është lojtari më i aktivizuar te Juventusi me 757 minuta, më shumë se çdo lojtar tjetër, ndërsa e ndjek Kambiaso me 731 minuta. Deri më tani Serbi i ka startuar të gjitha ndeshjen, pak si zgjedhje e Motës, por edhe pak si zgjedhje e detyruar me situatën që po kalon Arek Milik. Vlahoviç ka më shumë minuta edhe se Lautaro, Dovbik, Abraham dhe Lukaku e gjithashtu ka shënuar më shumë se ata, një gol çdo 108 minuta mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve.

7 gola për serbin, ku 5 të fundit kanë ardhur në tri ndeshje radhazi. Mes shumë kritikash, ai arriti të ringjallej dhe të reagonte pas 4 ndeshjeve thatësirë golash, por te Juventusi për momentin është një domosdoshmëri. Rastet e shpeshta të humbura, momentet kur nuk arrin dot të futet në lojën e skuadrës dhe mungesa e ndihmës në ndeshje të caktuara kalojnë në planë të dytë. Asnjë nuk mund ta bëjë rolin e tij dhe Mota duhet t’i besojë.

Por edhe shifrat aktualisht po flasin në favor të sulmuesit serb, pavarësisht rasteve të humbura. Për ta kuptuar më mirë mjafton të shohësh se Dushan Vlahoviç ka arritur të realizojë 7 gola deri më tani, ndërsa ndjekësi i tij më i afërt është Konseisao me dy e më pas Niko Gonzalez e Jildiz me nga 1.

Kjo tregon gjithashtu se “Zonja” ka një varësi nga sulmuesi. Këtë moment të Kombëtareve ku Vlahoviç as nuk u grumbullua nga Serbia, mund ta shfrytëzojë si pushim. Përpara e pret një “tur force” dhe shanset janë shumë të larta që ai të mos pushojë më. Mota është i detyruar ta aktivizojë dhe ai e ka për detyrë të jetë në krye të sulmit, ta udhëheqë edhe nga mungesa e alternativave.

PANORAMASPORT.AL

You may also like