
LONDËR, 13 mars /ATSH/- Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio paraqiti propozimin ukrainas dhe amerikan për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, sipas BBC.
Dje pasdite, Kremlini dukej se ishte ende duke peshuar përgjigjen e tij ndaj propozimeve.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova nuk pranoi të përfshihej në detaje, duke thënë se formimi i pozicionit të Federatës Ruse do të ndodhte brenda Federatës Ruse.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e anashkaloi këtë çështje. “Le të mos nxitohemi”, tha ai, duke shtuar se Moska “po njihej” me deklaratën e përbashkët të lëshuar në Xhedah.
Sipas disa raporteve i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff mund të udhëtojë sot në Moskë dhe Peskov tha se shtypi do të mbahej i informuar.
Presidenti Vladimir Putin pa dyshim po mendon me kujdes nëse do ta pranojë propozimin e armëpushimit, ta refuzojë atë apo të kërkojë ndryshime.
Ideja për të refuzuar – ose për të ndryshuar – propozimin e armëpushimit duket se po fiton më shumë vëmendje mes komentuesve.
“Nëse Putini e pranon sugjerimin e SHBA-së, kjo do të çonte në një situatë të rrezikshme”, tha eksperti pro-Kremlinit dhe ish-ndihmësi i Putinit, Sergei Markov, duke argumentuar se ushtria ruse aktualisht kishte avancuar në vijën e frontit dhe mund ta humbiste atë.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se Ukraina mund të përdorë armëpushimin njëmujor për t’u riarmatosur, kështu që Rusia mund të parashtrojë disa kushte, të tilla si të kërkojë përfundimin e furnizimit me armë në Kiev nga Perëndimi.
“Kushti duhet të jetë që gjatë kësaj periudhe, duhet të vendoset një embargo për furnizimet me armë në Ukrainë… Evropa duhet të mbështesë një armëpushim në Evropë, jo me fjalë, por me veprime”, tha Markov për mediat ruse.
Nëse ai do ta pranonte propozimin, Markov sugjeron se opinioni publik mund të ishte një faktor. Shoqëria ruse është “lodhur nga lufta”, tha ai.
Ndonëse është e vërtetë që disa sondazhe të fundit tregojnë se një përqindje në rritje e popullsisë ruse është në favor të zhvillimit të bisedimeve të paqes me Ukrainën, nuk është e qartë nëse opinioni publik do të kishte ndonjë ndikim në vendimin e Putinit.
Pse Rusia pushtoi Ukrainën?
Marrëveshja SHBA-Ukrainë tregon se një marrëveshje me Trump ka qënë gjithmonë e mundur.
Një rrugë tjetër e mundshme për Rusinë do të ishte pranimi i armëpushimit dhe më pas fajësimi për çdo shkelje të “provokimeve” ukrainase, me shpresën për të diskredituar Kievin në sytë e Trump.
Pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, u bënë përpjekje të shumta për të zbatuar një armëpushim midis Moskës dhe Kievit. Të gjitha ato dështuan. Nëse kjo përpjekje funksionon, do të ishte e paprecedentë.
Larg heshtjes së Kremlinit, njoftimi i propozimit të armëpushimit – më i detajuari i këtij lloji që nga fillimi i luftës së Moskës kundër Ukrainës – u diskutua hapur në mediat ruse.
Ndjenja midis shumë komentuesve dhe ligjvënësve rusë është një ndjenjë skepticizmi, veçanërisht në dritën e vendimit të SHBA-së për të rifilluar dërgimin e informacioneve të shërbimeve sekrete dhe armëve në Kiev.
Ligjvënësi Viktor Sobolev tha se një armëpushim i përkohshëm do të ishte vetëm në dobi të ukrainasve pasi do t’i lejonte ata të “rigrupoheshin në 30 ditë, të plotësonin radhët e tyre dhe të rifurnizoheshin me dronë.
Ka pasur gjithashtu një shtysë për të theksuar fitoret e ushtrisë ruse në rajonin e Kurskut, pjesë të të cilit Kievi ka pushtuar që nga vera e kaluar – dhe për të treguar se Rusia ka kontrollin në fushën e betejës.
Dje në mëngjes, imazhet e ushtarëve rusë që rimorën Sudzha – qyteti më i madh që Ukraina arriti të pushtonte në rajonin e Kurskut – ishin të kudogjendura në televizionet ruse dhe kanalet e njohura si Telegram, të shoqëruara me lavdërime të forta për punën “guximtare” të trupave të Moskës.
Pavarësisht debateve, vendimi përfundimtar – siç ndodh gjithmonë në Rusinë e sotme – i mbetet Vladimir Putinit.
Ashtu si Trump, ai është qendror në këtë marrëveshje. “Ne… nuk e përjashtojmë nevojën për një bisedë telefonike në nivelin më të lartë”, tha Peskov dje në mëngjes – që do të thotë se kontakti i drejtpërdrejtë midis dy presidentëve është thelbësor. //a.i/