ANALIZË – Nga Ukraina në Lindjen e Mesme, e gjithë bota është në ankth ndërsa SHBA voton

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Ndërsa qytetarët e ekonomisë më të madhe në botë dhe fuqisë më të madhe ushtarake vendosin se kush do të jetë presidenti i tyre i ardhshëm, çdo vend mbetet në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë.

Pasojat e mëdha ndërkombëtare të asaj se kush do të bëhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së mund ta bëjnë të duket e padrejtë që vetëm qytetarët amerikanë mund të votojnë dhe pjesa tjetër e botës nuk ka të drejtën e mendimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një rol kyç kur bëhet fjalë për Ukrainën, Lindjen e Mesme, Kinën, Tajvanin, NATO-n dhe aleancën transatlantike.

Për një gjë, Uashingtoni – me buxhetin e tij ushtarak prej 916 miliardë dollarësh për vitin 2023 – shpenzon shumë më tepër se miqtë dhe armiqtë e tij.

Pra, cili është efekti i mundshëm në mbarë botën nëse republikani Donald Trump ose demokratja Kamala Harris do të zhvendosen në Shtëpinë e Bardhë?

Ukraina – dy pikëpamje shumë të ndryshme

Disa nga pikëpamjet e ndryshme më të mprehta midis Harris, zëvendëspresidentes demokrate dhe Trump, ish-presidentit republikan, janë politikat e tyre ndaj Ukrainës.

Pikëpamjet e Harris për Ukrainën janë përgjithësisht në përputhje me ato të presidentit në largim Joe Biden. Ajo është angazhuar për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, është takuar shumë herë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ka akuzuar Rusinë për “krime kundër njerëzimit”.

Duke iu drejtuar Trumpit në debatin e saj të vetëm me të, ajo tha nëse ai do të ishte president, “Putini do të ishte ulur në Kiev tani”.

Si një kritik i shpenzimeve të SHBA-së për Ukrainën, deklaratat e Trump tregojnë se ai do të shkëputej nga mbështetja për Ukrainën. Në një tubim të fushatës në shtator, ai e quajti Zelensky “shitësin më të madh në Tokë”, duke thënë se sa herë që ai flet me Biden, udhëheqësi ukrainas largohet me miliarda ndihmë ushtarake.

Trump pretendon, pa prova, se nëse ai do të ishte president nuk do të kishte pasur një luftë, por nëse ai rizgjidhej – ai mund t’i jepte fund asaj “brenda një dite”. Ai ka fajësuar pjesërisht Ukrainën për konfliktin.

JD Vance,  kandidati i Trump për zëvendëspresident në garën presidenciale – ka qënë edhe më i ashpër ndaj Kievit.

Plani i tij për t’i dhënë fund luftës kërkon që Rusia të mbajë territorin ukrainas që ka pushtuar – dhe të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – jo e ndryshme nga ajo që ka kërkuar presidenti rus Vladimir Putin.

>

Të dy mbështesin Izraelin, po palestinezët?

Shpesh duket se Harris dhe Trump po përpiqen të kalojnë njëri-tjetrin me deklarata për mbështetjen e tyre për Izraelin.

Harris, të cilën Trump është përpjekur ta denigrojë me deklarata duke thënë se “e urren Izraelin”, është shfaqur si një mbështetëse e fortë e shtetit hebre.

Ajo paralajmëroi Iranin, pas hakmarrjes së fundit të Izraelit për rrezikun e një sulmi iranian ndaj Izraelit më 1 tetor, i cili do të përshkallëzonte konfliktin.

Bashkëshorti i saj është hebre dhe ajo është e njohur me zakonet dhe kulturën hebraike.

Në një deklaratë pas vrasjes së liderit islamik palestinez të Hamasit, Yehya Sinwar, Harris tha se “drejtësia ishte vënë në vend”, duke kërkuar përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve dhe shtuar se populli palestinez të realizonte të drejtën e tij për të dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje.

Institucionet ndërkombëtare në avantazh: NATO, BE, OKB

A mund të pritet që Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Harris të vazhdojë politikat e promovuara nga Biden, me lidhje të forta me aleatët evropianë dhe NATO-n.

Trump, nga ana tjetër, mund të ndryshojë shumë nga këto politika. Ai ka qenë prej kohësh një kritik i NATO-s, duke pretenduar se shumë anëtarë evropianë nuk paguajnë për mbrojtjen, duke u mbështetur te taksapaguesit amerikanë.

Ai pritet të bëjë përpjekje për ta shkëputur SHBA-në nga aleanca e mbrojtjes, megjithëse botimi i sigurisë kombëtare Lawfare shkruan se daljet formale nga aleanca janë barrikaduar me mjete ligjore.

Prapëseprapë, Trump ka thënë se është e mundur një “dalje e qetë” me anë të së cilës SHBA shkëputet.

Mbi të gjitha, Trump është ndoshta më i njohur ndërkombëtarisht për axhendën e tij “America First”.

Gjatë administratës së tij ai u tërhoq nga Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) dhe Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike. Pasardhësi i Trump, Biden, i anuloi këto lëvizje. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like