BERLIN, 20 janar /ATSH-AFP/ – Zgjim i shoqërisë civile? Mijëra njerëz po demonstrojnë në të gjithë Gjermaninë kundër së djathtës ekstreme, e akuzuar për minimin e demokracisë, çka nënkuptohet partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), ndërkohë që shumë të tjerë bëjnë thirrje për nxjerrjen e saj jashtë ligjit.
Nga qytetet e mesme deri te metropolet, mobilizimi po përhapet, në shkallën e disa tubimeve në ditë. Deri nesër janë paralajmëruar rreth 100 manifestime, shpesh nën sloganin “Së bashku kundër së djathtës ekstreme”.
Shkaku i lëvizjes është zbulimi më 10 janar nga media investigative gjermane “Correctiv” i një takimi në Potsdam, afër Berlinit, ku në nëntor u diskutua një plan për dëbimin masiv të njerëzve me origjinë të huaj.
Mes pjesëmarrësve ishte një figurë e lëvizjes radikale të së djathtës, austriaku Martin Sellner si dhe anëtarë të AfD-së.
Historia tronditi një vend që dukej se e kishte pranuar si të pashmangshëm rritjen e sondazheve të këtij formacioni armiqësor ndaj emigrantëve, i krijuar 11 vjet më parë.
“Ky takim skandaloz ringjalli frikën e dëbimeve të miliona qytetarëve apo joshtetasve gjermanë, një frikë e cila është pjesë e trashëgimisë kritike të nacionalsocializmit’’, shpjegon Hajo Funke, politologu i specializuar për të djathtën ekstreme.
Disa ditë pas këtyre zbulimeve, rreth 20 000 njerëz demonstruan në Berlin dhe 10 000 në Potsdam, përfshirë kancelarin socialdemokrat, Olaf Scholz dhe ministren e Jashtme, Annalena Baerbock.
– Fundi i “normalizimit” –
Duket se është dëshmi e një mobilizimi të “shumicës së heshtur” për mbrojtjen e demokracisë, të kërkuar së fundmi nga presidenti i shërbimeve vendase sekrete (BfV), Thomas Haldenwang.
“Demonstratat janë inkurajuese dhe tregojnë se ne, demokratët, jemi më të shumtë se ata që duan të na përçajnë”, komentoi Olaf Scholz.
AfD ka përfituar muajt e fundit nga pasiguria e popullsisë si pasojë e një fluksi të ri emigrantësh në vend dhe nga grindjet e përhershme mes tre partive të koalicionit qeveritar, në një sfond recesioni ekonomik dhe inflacion të lartë.
Partia është vendosur fort në pozitën e dytë në synimet e votimit (rreth 22%) pas konservatorëve.
Në bastionet e saj në ish-RDGJ, ajo madje del në krye me më shumë se 30% në tre landet e Turingisë, Saksonisë dhe Brandenburgut ku mbahen zgjedhjet rajonale në shtator.
Pas tronditjes së vitit 2017 që shënoi hyrjen e saj në parlament, AfD është integruar në peizazhin politik, edhe pse të gjitha partitë përjashtojnë mundësinë e aleancës me të.
Ajo drejtohet nga një dyshe liderësh që thonë se përfaqësojnë qendrën konservatore borgjeze.
Që nga takimi i Potsdamit, “ky normalizim i partisë ka përfunduar”, gjykon Funke, edhe nëse partia ka thënë se nuk e miraton projektin e “emigrimit” të paraqitur nga Martin Sellner.
Skandali zbuloi “fytyrën e vërtetë” të partisë, tha bashkëdrejtuesi i SPD, Lars Klingbeil, gjatë një debati në Bundestag.
– Të ndalohet AfD? –
Zërat që kërkojnë ndalimin e saj, të mbartura sidomos nga partia e kancelarit, po shtohen.
Edhe nëse ka pak shanse për të pasur sukses, një peticion që kërkon që të tërhiqen prej tij të drejtat kushtetuese të Bjorn Hocke, liderit të AfD-së në Turingi dhe i konsideruar si njeriu i fortë i partisë, ka mbledhur gjithashtu më shumë se një milion nënshkrime.
Në këtë kontekst, “shteti e ka për detyrë të studiojë një ndalim të mundshëm të AfD-së”, deklaroi ish-presidenti socialdemokrat i Bundestagut, Wolfgang Thierse.
Nisja e një procedure në këtë drejtim – shumë e gjatë dhe e ndërlikuar – megjithatë shihet me skepticizëm nga shumica e vëzhguesve, të cilët kanë frikë se dështimi do të nxiste më tej popullaritetin e AfD.
Por “nëse vërtetohet se një parti dëshiron ta transformojë vendin në një shtet fashist, ajo duhet të ndalohet, pavarësisht nga forca e saj”, tha zëvendëskancelari ambientalist, Robert Habeck në një intervistë për revistën “Stern”./ a.jor.