ANALIZË – Asnjë perspektivë për negociatat e luftës në Ukrainë “së shpejti”

by admin
Spread the love

KIEV, 4 tetor /ATSH-DPA/- Nuk ka asnjë perspektivë për negociata “së shpejti” për luftën në Ukrainë, sipas zyrtarëve perëndimorë.

Rusia pushtoi të mërkurën qytetin e rëndësishëm të Vuhledarit, dhe sipas zyrtarëve Moska do të kërkojë të shfrytëzojë mundësitë në fshatrat dhe qytetet në afërsi të saj në javët e ardhshme.

Megjithatë, ata shtuan se Rusia nuk do të ishte në gjendje të kapitalizonte në thelb këto avancime.

“Nuk presim një progres të menjëhershëm dhe një përparim të shpejtë të Rusisë drejt perëndimit”, thanë zyrtarët perëndimorë.

Ndërkohë, Ukraina aktualisht zë më pak se 800 kilometra katrorë të territorit rus.

Zyrtarët perëndimorë thanë se nuk shohin ndonjë perspektivë për një negociatë së shpejti për luftën në Ukrainë, e cila ka vazhduar që nga viti 2014 – pasi Rusia nisi një pushtim të plotë në shkurt 2022.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë të dorëheqjes së presidentit Putin nga qëllimi i tij kryesor, që është nënshtrimi i sovranitetit të Ukrainës”, thanë ata.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u zotua të martën se do të ndihmojë në mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e detyrës.

Rutte, kryeministër i Holandës nga viti 2010 deri në vitin 2024, u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev ndërsa sirenat e sulmit ajror u ndezën dy herë në kryeqytetin ukrainas.

“Forcat ajrore të Rusisë u treguan “tepër të papërgjegjshme” në goditjen e një anijeje civile në ujërat ndërkombëtare me një raketë të dyshuar të viteve 1960″, shtuan zyrtarët perëndimorë.

Anija tregtare “Aya” po transportonte 26,000 tonë grurë nga Odesa më 11 shtator në Detin e Zi kur u godit nga një raketë, për të cilën zyrtarët thanë se kishte “të ngjarë” të ishte një raketë sovjetike AS-4.

Ata shtuan se përdorimi i “procedurave operative të rrezikshme” dhe “municioneve të dobëta” nga forcat ajrore ruse po rrisin rrezikun e goditjes së anijeve civile.

“Ka shumë pak gjasa që rusët të shënjestrojnë qëllimisht këto anije me grurë, të cilat mund të jenë goditur për shkak të procedurës së dobët të shënjestrimit nga pilotët rusë pjesërisht, si dhe municionet e vjetëruara”, shtuan ata.

Zyrtarët thanë se sulmet ukrainase në Rusi muajin e kaluar rezultuan në shkatërrimin e rreth 100,000 tonë municionesh dhe humbjen më të madhe të municioneve të furnizuara nga Koreja e Veriut në Moskë gjatë luftës.

Midis 18 dhe 21 shtatorit, Kievi goditi një depo në Tikhoretsk, Rusi dhe dy vende pranë Toropets rreth 500 kilometra nga kufiri ukrainas.

Depot ruanin një shumëllojshmëri të kalibrave të municioneve, bombave udhëzuese dhe raketave, si dhe municione të blera nga Koreja e Veriut.

“Mobilizimi i mëtejshëm i Moskës do t’i largonte njerëzit nga fuqia punëtore dhe do të gjeneronte një raund tjetër emigrimi”, thanë zyrtarët ndërsa nënvizuan presionin real mbi ekonominë ruse.

Ata shtuan se ishte shumë herët për të thënë se si konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme do të ndikonte në marrëdhëniet Iran-Rusi. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like