Flet Edon Lutaj, CMO i Dua.com
Në epokën e romancës dixhitale, ka një aplikacion shqiptar, i cili ka shënuar një kthesë në mënyrën se si shqiptarët lidhen me njëri-tjetrin. Kjo platformë, e krijuar për të thyer kufijtë gjeografikë dhe për të ofruar mundësi për lidhje serioze, sipas drejtuesve, reflekton identitetin dhe vlerat kulturore shqiptare. Në këtë intervistë, Edon Lutaj, Drejtor i Marketingut në dua.com, na zbulon historinë pas krijimit të aplikacionit, sfidat dhe të dhëna mbi përdoruesit, kryesisht në diasporë…
Çfarë e shtyu krijimin e dua.com dhe si ka evoluuar që nga fillimi?
Dua.com u krijua për të lidhur shqiptarët kudo në botë, duke ofruar një platformë ku ata mund të gjejnë dashuri dhe lidhje kuptimplota brenda komunitetit të tyre.
Ideja erdhi nga vetë CEO-ja ynë, i cili, duke jetuar në Zvicër, hasi vështirësi për të takuar shqiptarë për të gjetur një partnere shqiptare.
Kjo e shtyu të krijonte një zgjidhje që do të ndihmonte shqiptarët, veçanërisht ata në diasporë, të lidhen me njëri-tjetrin. Që nga fillimi, aplikacioni ka evoluuar duke shtuar veçori të reja, duke përmirësuar sigurinë dhe duke adresuar nevojat specifike të përdoruesve shqiptarë, si brenda Kosovës, Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj.
Cilat janë disa karakteristika të platformës që e dallojnë nga aplikacionet e tjera për takime dhe njohje?
Është ndryshe nga aplikacionet e tjera për disa arsye:
Fokusimi ekskluziv në shqiptarët dhe ruajtjen e traditave, duke krijuar një hapësirë të posaçme për ta.
Algoritme të personalizuara që ndihmojnë përdoruesit të gjejnë “të duhurin” bazuar në vlera, qëllime dhe kulturë të përbashkët.
Advanced Filters, që lejojnë përdoruesit të specifikojnë një grup të caktuar njerëzish, duke përfshirë preferenca të detajuara për t’i bërë kërkimet më të sakta dhe efektive.
Fly Feature, që u jep përdoruesve mundësinë të ndryshojnë lokacionin e tyre dhe të lidhen me njerëz nga vende të tjera, duke thyer kufijtë gjeografikë dhe duke zgjeruar mundësitë e tyre për të gjetur dashurinë.
Veçori të sigurta si “Incognito Mode”, që i lejojnë përdoruesit të ruajnë privatësinë, veçanërisht gratë, duke e bërë platformën më të sigurt dhe më të rehatshme për të gjithë.
Opsioni për të bllokuar kontakte specifike (si familjarë apo miq) për të garantuar një përvojë private dhe të sigurt.
Sa kushton të qenët një përdorues?
Regjistrimi dhe përdorimi bazë i dua.com është falas, duke i lejuar përdoruesit të krijojnë një profil, të shfletojnë dhe të lidhen me të tjerë. Për funksionalitete të avancuara, platforma ofron abonime premium, çmimet e të cilave ndryshojnë nga vendi në vend dhe përcaktohen bazuar në GDP-në lokale, për të siguruar akses të drejtë dhe të përballueshëm për të gjithë.
Me abonimin premium, përdoruesit rrisin mundësinë që të dallohet profili i tyre, përdorin Advanced Filters, për të specifikuar dhe për të gjetur grupin e saktë të njerëzve që kërkojnë, kanë akses për të parë se kush ju ka pëlqyer, duke i bërë lidhjet më të shpejta dhe më efikase.
Pra, është me pagesë sepse abonimi premium është krijuar për t’i ndihmuar përdoruesit të maksimizojnë mundësitë e tyre dhe të krijojnë lidhje më kuptimplota.
Cili është demografia kryesore e përdoruesve? A ka ndonjë model të veçantë në sjelljen e përdoruesve shqiptarë?
Demografia kryesore e përdoruesve të dua.com përfshin shqiptarë nga diaspora dhe trojet shqiptare, kryesisht të moshave 25-40 vjeç. Diaspora përbën një pjesë të madhe të përdoruesve, me veçori specifike që plotësojnë nevojat e tyre për t’u lidhur me shqiptarë në vende të ndryshme të botës. Modeli i sjelljes së përdoruesve shqiptarë ka disa veçori:
-Përdoruesit në diasporë janë më të prirur të investojnë në veçori premium, duke pasur një angazhim dhe nevojë më të madhe në krijimin e lidhjeve serioze.
-Fokusi në marrëdhëniet afatgjata: Përdoruesit shpesh kërkojnë partnerë me të cilët mund të ndërtojnë familje.
-Ne fuqizojmë fuqinë e mediave sociale dhe tregimet e dashurisë së suksesshme nga përdoruesit tanë për të demonstruar vlerën dhe ndikimin pozitiv të aplikacionit, duke ndihmuar në rritjen e angazhimit dhe besimit në platformë.
Si e shihni rolin e teknologjisë në krijimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve romantike në epokën dixhitale?
Teknologjia ka transformuar mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin, duke thyer barrierat e distancës dhe duke i bërë njohjet më të lehta dhe më të aksesueshme. Në epokën dixhitale, ajo ndihmon njerëzit të gjejnë partnerë që përputhen me vlerat, interesat dhe qëllimet e tyre.
Aplikacioni ynë luan një rol kyç në këtë transformim, duke përdorur teknologji të avancuar për të përshtatur algoritmet, që ndihmojnë përdoruesit të gjejnë “të duhurin” bazuar në preferenca të personalizuara.
Është një hapësirë e sigurt dhe e rehatshme, ku njerëzit mund të shprehin veten dhe të ndërtojnë marrëdhënie kuptimplota. Gjithashtu kemi thyer kufijtë gjeografikë me veçori si Fly Feature, që mundësojnë njohje ndërkombëtare.
Në një botë ku njerëzit shpesh kanë më pak kohë për të takuar partnerë në mënyrë tradicionale, teknologjia jo vetëm që përshpejton procesin, por edhe siguron që lidhjet të jenë më të qëndrueshme.
A keni të dhëna ose statistika që tregojnë shkallën e suksesit të platformës në krijimin e lidhjeve afatgjata?
Po, aplikacioni ka rezultate mbresëlënëse në krijimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve afatgjata. Megjithatë, është shumë sfiduese të bindim njerëzit të ndajnë publikisht historitë e tyre të suksesit, për shkak të ndjeshmërisë dhe natyrës private të lidhjeve romantike, si dhe tabuve që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë.
Në 365 ditët e fundit, kemi gjeneruar:
3,246,462 përputhje (matches) që përdoruesit tanë kanë marrë, duke krijuar mundësi të shumta për lidhje kuptimplota.
Nga këto përputhje, 2,830,242 biseda (conversations started) janë nisur, duke treguar një nivel të lartë të angazhimit dhe interesit mes përdoruesve.
Përveç çifteve, kemi marrë shumë mesazhe të veçanta nga përdorues që ndajnë me ne fotot e fëmijëve të tyre të porsalindur, si rezultat i lidhjeve të krijuara në dua.com.
Fatkeqësisht, shumica preferojnë të mbeten anonimë, duke reflektuar ende një sfidë me tabutë sociale që na duhet të tejkalojmë.
Këto histori tregojnë fuqinë dhe potencialin e platformës për të ndryshuar jetë, edhe pse jo gjithmonë mund të ndahen publikisht.
Çfarë roli luan siguria dhe privatësia në platformën tuaj dhe si e garantoni që përdoruesit ndihen të sigurt gjatë përdorimit të saj?
Siguria dhe privatësia janë prioritetet tona kryesore në dua.com, duke qenë se ato janë ndër sfidat më të mëdha për aplikacionet për takime.
Për të krijuar një mjedis të sigurt, veçanërisht për gratë, ne kemi ngritur një qasje të gjithanshme ndaj sigurisë që kombinon mbështetjen njerëzore me teknologjitë më të avancuara.
Masat tona përfshijnë:
Ekip mbështetës prej 5 anëtarësh: Ky ekip ofron mbështetje të vazhdueshme për të gjithë përdoruesit përmes email-it. Ata monitorojnë manualisht profilet për të zbuluar dhe për të bllokuar çdo aktivitet të dyshimtë ose profile false menjëherë.
Sisteme dhe platforma të integruara: Përveç monitorimit manual, ne kemi implementuar teknologji të avancuara për të automatizuar proceset e identifikimit të sjelljeve të dyshimta.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI): Ne përdorim AI për të analizuar dhe për të identifikuar profilet që shkaktojnë probleme ose shfaqin sjellje të pazakonta. Kjo na lejon të veprojmë shpejt dhe me saktësi, duke parandaluar rrezikun për përdoruesit tanë.
Verifikimi i detyrueshëm i fotos: Çdo përdorues duhet të verifikojë foton gjatë krijimit të profilit, duke garantuar që vetëm profilet autentike kanë akses në platformë.
Opsioni për bllokimin e kontakteve dhe Incognito Mode ose edhe “Hide my Photos”: Këto veçori u japin përdoruesve kontroll të plotë mbi privatësinë e tyre.
Duke kombinuar mbështetjen manuale, teknologjinë automatike dhe fuqinë e AI, ne sigurojmë që dua.com të jetë një hapësirë e sigurt ku përdoruesit mund të ndihen të mbrojtur dhe të fokusohen vetëm te krijimi i lidhjeve kuptimplota.
Si mendoni se do të ndikojë ekonomia e romancës dixhitale në të ardhmen e marrëdhënieve ndërpersonale, sidomos për shqiptarët?
Ekonomia e romancës dixhitale do të vazhdojë të transformojë mënyrën se si shqiptarët lidhen dhe ndërtojnë marrëdhënie, duke ofruar mundësi të reja përtej kufijve gjeografikë dhe duke ruajtur traditat kulturore.
Në rastin e dua.com, vizioni ynë “Be, Find, Grow” luan një rol kyç në këtë transformim.
Be: Ndihmojmë përdoruesit të bëhen versioni më i mirë i vetes, duke krijuar besim dhe vetëdije.
Find: Ofrimi i një platforme të sigurt dhe të avancuar për të gjetur partnerin ideal që përputhet me vlerat dhe qëllimet e tyre. (Ky version i aplikacioni që kemi tani)
Grow: Mbështetje për të rritur marrëdhëniet dhe për të krijuar lidhje të qëndrueshme që kontribuojnë në ndërtimin e familjeve të forta.
Me këta tre hapa, ne jo vetëm që ndihmojmë shqiptarët të krijojnë marrëdhënie kuptimplota, por gjithashtu kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhme më të fortë për marrëdhëniet ndërpersonale në një botë dixhitale.
Në këtë mënyrë, ekonomia e romancës dixhitale bëhet një mjet jo vetëm për lidhje, por edhe për ruajtjen e identitetit dhe vlerave shqiptare.
A ka ndryshuar perceptimi për takimet online në Shqipëri dhe diasporën shqiptare?
Perceptimi për takimet online në Shqipëri dhe diasporën shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.
Dikur konsiderohej si tabu apo diçka e panatyrshme, ndërsa sot është bërë një mënyrë e pranuar dhe efikase për të krijuar marrëdhënie. dua.com ka luajtur një rol të veçantë në këtë ndryshim, duke qenë e vetmja platformë që kujdeset ekskluzivisht për shqiptarët.
Ndryshe nga aplikacionet e tjera për takime, të cilat shpesh kanë një qasje të përgjithshme dhe nuk ofrojnë mbështetje për komunitetin shqiptar, aplikacioni ynë është investuar në ndërtimin e një platforme që reflekton kulturën, traditat dhe vlerat shqiptare.
Këtë e kemi bërë duke fokusuar platformën vetëm te shqiptarët, duke ofruar një hapësirë të posaçme dhe autentike ku përdoruesit ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar.
(Më herët nuk kishte një zgjidhje fare). Gjithashtu, duke promovuar histori të suksesit, që, edhe pse shpesh anonime, kanë frymëzuar përdoruesit të besojnë në fuqinë e dua.com për të krijuar lidhje serioze dhe kuptimplota.
Nga ana tjetër, kemi siguruar një platformë të sigurt dhe të rehatshme, veçanërisht për gratë, duke adresuar shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë, të cilat janë pengesa të zakonshme në aplikacionet e tjera.
Me kalimin e kohës, janë normalizuar takimet online për shqiptarët, duke ruajtur identitetin kulturor dhe duke ndihmuar ata që jetojnë larg vendit të tyre të lidhen me njëri-tjetrin.
A mendoni se pandemia dhe izolimi kanë shtyrë më shumë njerëz drejt përdorimit të platformave dixhitale për të njohur partnerë romantikë?
Po, pandemia dhe izolimi kanë pasur ndikim të madh në sjelljen e njerëzve, duke i shtyrë më shumë drejt përdorimit të platformave dixhitale, si një mënyrë për të njohur partnerë romantikë.
Ndërsa mundësitë për takime tradicionale u kufizuan, njerëzit filluan të shfrytëzojnë teknologjinë për të mbushur këtë boshllëk dhe për të krijuar lidhje të reja.
Pandemia jo vetëm që ndryshoi mënyrën se si njerëzit kërkojnë dashuri, por gjithashtu e forcoi rëndësinë e platformave si dua.com, që u japin njerëzve mundësinë të lidhen dhe të krijojnë marrëdhënie, edhe në një botë të izoluar fizikisht. Kjo periudhë ka theksuar vlerën e lidhjeve dixhitale dhe ka hapur një epokë të re për marrëdhëniet romantike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.