BERN, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministrja zvicerane e Financave, Karin Keller-Sutter do të bëhet presidentja e vendit të saj në vitin 2025, pas zgjedhjes së saj zyrtare nga të dy dhomat e parlamentit.
Ajo do të marrë rolin kryesisht ceremonial krahas detyrave të saj zyrtare si ministre, siç ndodh zakonisht në Zvicër.
Shtatë anëtarët e qeverisë mbajnë me radhë postin presidencial çdo vit.
Keller-Sutter i përket Partisë Demokratike të Lirë (FDP). Megjithatë, në sistemin zviceran, ministrat janë të pavarur nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe janë kryesisht përgjegjës ndaj qeverisë kolegjiale, jo partive të tyre.
Keller-Sutter u bë e njohur ndërkombëtarisht në vitin 2023 – kur mori përgjegjësinë për shpëtimin e bankës me probleme “Credit Suisse”.
Ajo njoftoi paketën e shpëtimit, e cila përfshinte blerjen e bankës rivale UBS me garanci fillestare shtetërore.
Keller-Sutter është një përkthyese e trajnuar konferencash. Ajo është në qeveri që nga viti 2019. Ajo do të pasojë Viola Amherd si presidente. //a.i/