Volkswagen planifikon të mbyllë tre fabrika në Gjermani

by admin

Priten mijëra pushime nga puna

 

Volkswagen pritet të mbyllë të paktën tre fabrika në Gjermani, të pushojë nga puna dhjetëra mijë punonjës dhe të reduktojë fabrikat e mbetura në ekonominë më të madhe europiane, duke planifikuar një rishikim më të thellë se sa ishte parashikuar, deklaroi të hënën drejtuesi i këshillit të fabrikës së kompanisë.

Prej disa javësh, shtëpia më e madhe automobilistike e Europës është duke negociouar me sindikatat planet për të riorganizuar aktivitetin e saj dhe për të tkurrur kostot, duke marrë në konsideratë, për herë të parë, mbylljen e fabrikave në territorin e vendit, si një goditje për fuqinë industriale të Gjermanisë.

Të hënën Volkswagen ritheksoi nevojën e ristrukturimit dhe deklaroi se të mërkurën do të paraqesë propozime konkrete.

“Shoqëria është absolutisht serioze në gjithë këtë. Nuk bëhet fjalë për një shaka në raundin e negociatave kolektive” – u deklaroi Daniela Cavallo, përgjegjëse e këshillit të fabrikës së Volkswagen , punonjësve të fabrikës më të madhe të shtëpisë automobilistike, në Wolfsburg, duke kërcënuar për të ndërprerë bisedimet.

“Ky është plani i grupit më të madh industrial të Gjermanisë për të filluar shitjen në vendin e tij të origjinës, Gjermaninë”, – shtoi Cavallo, duke mos specifikuar se cilat fabrika do të preken ose sa prej rreth 300,000 punonjësve të Grupit Volkswagen në Gjermani mund të pushohen nga puna.

Volkswagen planifikon gjithashtu të ulë pagat me të paktën 10% dhe të ngrijë pagat në vitin 2025 dhe 2026 – tha ajo.

Mijëra persona u mblodhën në Wolfsburg, ku kompania ka selinë prej thuajse nëntë dekadash. Punonjësit këmbëngulën te fakti se asnjë stabiliment i vetëm nuk duhet të mbyllet.

Deklaratat e Cavallo shënojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes punonjësve të Volkswagen dhe drejtuesve, ndërkohë që kompania po përballet me presionet e forta të kostove të larta të energjisë dhe punës, konkurrencën e ashpër aziatike, dobësimin e kërkesës në Europë dhe Kinë dhe tranzioni, elektrik më të ngadaltë se parashikimi.

/ Reuters

 

 

 

 

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like