RIO DE ZHANEIRO, 10 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro u betua sot për një mandat të tretë, pas zgjedhjeve – të konsideruara nga komuniteti ndërkombëtar dhe opozita si të manipuluara.
Kandidati i tij rival në zgjedhje, Edmundo González, i cili që atëherë është arratisur nga vendi, kishte shpallur synimin e tij për t’u kthyer për t’u betuar si president i vendit të Amerikës së Jugut.
Megjithatë, kjo duket e pamundur pasi ndaj tij është lëshuar një urdhërarresti në Venezuelë.
González, i cili u nis për në Spanjë në fillim të shtatorit, ku kërkoi azil politik, ishte shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale të korrikut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe disa vende të Amerikës Latine e njohin atë si fituesin e vërtetë të zgjedhjeve presidenciale.
Megjithatë, komisioni zgjedhor, i cili është besnik ndaj partisë në pushtet, shpalli fitues Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013.
Bashkimi Evropian nuk e ka njohur fitoren e Maduros, përkundrazi kërkon publikimin e dokumenteve zgjedhore, një kërkesë që autoriteti zgjedhor ende nuk e ka përmbushur.
Një ditë para ceremonisë së betimit të Maduros, mijëra njerëz dolën në rrugë në Venezuelë për të protestuar kundër Maduros.
Për herë të parë pas disa muajsh, liderja e opozitës, María Corina Machado bëri një paraqitje publike dhe u prit me entuziazëm nga turmat në një protestë në Karakas. //a.i/