Prodhuesi japonez i makinave Toyota Motor rriti të mërkurën parashikimet e fitimit operativ për të gjithë vitin me 9%, në një tregues besimi të aftësisë për t’i bërë ballë çdo ndikimi të mundshëm të tarifave të SHBA-së.
Shtëpia automobilistike me më shumë makina të shitura vitin e kaluar rriti parashikimet e fitimit për të gjithë vitin deri në mars 2025 në 4.7 trilionë jen (30.7 miliardë dollarë) krahasuar me 4.3 trilionë jen të parashikuara më parë.
Rishikimi reflekton përpjekjet për të konsoliduar fuqinë e fitimeve nëpërmjet kontrollit të stimujve, rritjes së çmimeve dhe stabilizimit të prodhimit, deklaroi Toyota.
Prodhuesi japonez parashikon, ndër të tjera, të fitojë nga dobësimi i jenit.
Toyota e bëri rishikimin edhe pse regjistroi fitime më të ulëta se parashikimi në tremujorin e tretë, duke shënuar tremujorin e dytë me radhë në ulje të fitimeve.
Fitimi operativ për tre muaj deri në dhjetor ishte 1.22 trilionë jen, në rënie me 28% krahasuar me një vit më parë dhe në raport me 1.42 trilionë jen mesatarisht të vlerësuar nga nëntë analistë në një sondazh të LSEG.
Për rajonin, fitimi operativ në Amerikën e Veriut, i cili është tregu i parë për shitjen e makinave, Shtetet e Bashkuara ranë me 63% në nëntë muajt e parë të vitit financiar, kryesisht për shkak të tkurrjes së volumit të shitjeve dhe kostove më të mëdha për personelin.
Edhe të ardhurat operative në Kinë ranë në të njëjtën periudhë, për shkak të rritjes së kostove të marketingut, ndërkohë që shtëpia automobilistike po përpiqej të ruante pjesën e tregut mes konkurrencës së madhe nga markat kineze.
Toyota deklaroi se synon të krijojë një shoqëri në pronësi të plotë në Shangai për të zhvilluar dhe për të prodhuar makina elektrike dhe bateri për markën e saj luksoze Lexus.
Prodhimi pritet të nisë në vitin 2027 me një kapacitet fillestar rreth 100 mijë njësi në vit.
Javën e kaluar, shitjet globale të grupit të Toyota ishin 10.8 milionë makina për vitin 2024, duke u bërë shtëpia automobilistike me më shumë automjete të shitura për të pestin vit radhazi.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.