TOKIO, 22 mars /ATSH/- Diplomatët më të lartë nga Japonia, Kina dhe Koreja e Jugut u takuan sot në Tokio, duke kërkuar një bazë të përbashkët për sigurinë dhe çështjet ekonomike të Azisë Lindore mes përshkallëzimit të pasigurisë globale, sipas “Reuters”.
“Duke pasur parasysh situatën gjithnjë e më të rëndë ndërkombëtare, unë besoj se mund të jemi vërtet në një pikë kthese në histori”, tha ministri i Jashtëm japonez, Takeshi Iwaya në fillim të takimit në Tokio me ministrin e Jashtëm kinez ,Wang Yi dhe ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul.
“Të tre ministrat ranë dakord për përshpejtimin e përgatitjeve për një samit trepalësh në Japoni – që do të përfshijë gjithashtu bisedime se si Tokio, Pekini dhe Seuli mund të trajtojnë rënien e nivelit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë”, tha Iwaya në një njoftim të përbashkët pas takimit.
Mbledhja e parë e ministrave të Jashtëm të vendeve që nga viti 2023 vjen ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump përmbysi aleancat e vjetra, duke hapur potencialisht derën për Kinën për të krijuar lidhje më të ngushta me vendet tradicionalisht të lidhura me Uashingtonin.
“Tri kombet tona kanë një popullsi të kombinuar prej afro 1,6 miliardë banorësh dhe një prodhim ekonomik që tejkalon 24 trilion dollarë. Me tregjet tona të mëdha dhe potencialin e madh, ne mund të ushtrojmë ndikim të rëndësishëm”, tha Wang.
“Kina dëshiron të rifillojë bisedimet e tregtisë së lirë me fqinjët e saj dhe të zgjerojë anëtarësimin në Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal 15-vendesh”, shtoi ai.
Megjithatë, mosmarrëveshjet e thella mbeten ende. Pekini është në mosmarrëveshje me Tokion dhe Seulin për disa çështje kyçe, duke përfshirë mbështetjen e tij ndaj Koresë së Veriut, aktivitetin e saj ushtarak në rritje rreth Tajvanit dhe mbështetjen e Rusisë në luftën e saj me Ukrainën.
Aleatët e SHBA-së, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat secila presin mijëra trupa amerikane, ndajnë pikëpamjen e Uashingtonit se Kina – ekonomia e dytë më e madhe në botë – përbën një kërcënim në rritje për sigurinë rajonale.
Cho tha se i kishte kërkuar Kinës në takim që të ndihmonte për të bindur Korenë e Veriut të braktiste armët e saj bërthamore.
Iwaya do të takohet veçmas me homologët e tij kinezë dhe koreano-jugorë, duke përfshirë dialogun e parë ekonomik të nivelit të lartë me Pekinin në gjashtë vjet.
“Takimi do të përfshijë diskutimin e një ndalimi të importeve japoneze të ushqimeve të detit të vendosur nga Kina pas çlirimit të ujërave të zeza nga centrali bërthamor i shkatërruar Fukushima nga viti 2023”, tha Iwaya këtë javë. //a.i/