STAMBOLL, 7 shkurt /ATSH-AFP/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përshëndeti sot vendimin e Bashkimit Evropian për të filluar lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë pas përmbysjes së Bashar al-Assad, në një bisedë telefonike me homologun e tij francez Emmanuel Macron.
Njëzet e shtatë vendet e BE-së vendosën sanksione të gjera ndaj qeverisë së Asaad-it dhe ekonomisë së Sirisë gjatë luftës së saj civile.
Muajin e kaluar, ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord të fillojnë lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë, ndërsa Perëndimi kërkon të ndërtojë ura me udhëheqjen e re të vendit të shkatërruar nga lufta.
“Erdogan i tha Macron se vendimi i BE-së për të filluar lehtësimin e sanksioneve kundër Sirisë ishte i përshtatshëm dhe se ishte e rëndësishme që ato të hiqeshin plotësisht në periudhën e re”, tha presidenca turke.
Kjo ishte telefonata e dytë mes dy liderëve që nga 18 dhjetori, kur Erdogan përshëndeti vendimin e Francës për të dërguar diplomatë në Damask pas rënies së Asaad-it. //a.i/