Një shpërthim dëmtoi një kanal jetik për furnizimin me ujë të dy termocentraleve në Kosovë të premten, me kryeministrin Kurti që e denoncoi si një akt “terrorist”, për të cilin fajësoi Serbinë fqinje.
“Ky është një sulm kriminal dhe terrorist që synon të shkatërrojë infrastrukturën tonë kritike”, tha ai gjatë një konference urgjente për shtyp, të premten në orët e vona të natës.
“Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë se ky është një aktivitet bandash i udhëhequr nga Serbia”, shtoi ai.
Shpërthimi në kanalin, i cili furnizon me ujë dy termocentrale me qymyr — atyre u nevojitet për të ftohur sistemet e tyre — dhe janë burimet kryesore të energjisë elektrike në Kosovë, ndodhi pranë = Zubin Potokut.
Nëse nuk riparohet dëmi, ekziston rreziku që një pjesë e Kosovës të mos ketë energji elektrike nga mëngjesi i sotëm, paralajmëroi Kurti.
Ai nuk dha detaje mbi shkallën e dëmtimit të kanalit, i cili kalon përmes vendit nga veriu me shumicë serbe deri në kryeqytetin Prishtinë – i cili gjithashtu pjesërisht nxjerr ujë të pijshëm prej tij.
Policia e Kosovës dje më herët ka njoftuar se po shton masat e sigurisë në veri, pasi dy granata janë hedhur në një stacion policor dhe një ndërtesë komunale. Nuk është e qartë nëse këto ngjarje janë të lidhura.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, diplomati estonez Aivo Orav, dënoi sulmin i cili tashmë ka “privuar nga uji i pijshëm një pjesë e madhe e Kosovës”. /tesheshi.com/