Kina shkëlqen, Europa rimëkëmbet
Shitjet globale të makinave tërësisht elektrike dhe hibride plug-in u rritën me 30.5% në shtator, ndërsa Kina tejkaloi shifrat rekord të regjistruara në gusht dhe Europa rinisi rritjen, deklaroi të martën shoqëria e kërkimit të tregut, Rho Motion.
Fitimet në tregun amerikan ishin të ngadalta dhe të qëndrueshme, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 5 nëntor, duke e bërë të vështirë parashikimin e tendencave të ardhshme në vend, deklaroi për Reuters, përgjegjësi i të dhënave, Charles Lester.
Pse është e rëndësishme
Shtëpitë automobilistike kineze po përpiqen të rrisin shitjet në BE, pavarësisht taksave të importit deri në 45% dhe ngadalësimit të kërkesës globale për makina elektrike. Prodhuesit kinezë dhe europianë të makinave u përballën të hënën në Sallonin e makinave në Paris.
Shifrat
Makinat elektrike – tërësisht elektrike (BEV) apo hibride plug-in (PHEV) – të shitura në botë arritën në 1.69 milionë në shtator, sipas të dhënave të Rho Motion.
Shitjet në Kinë u rritën me 47.9% në shtator, duke arritur në 1.12 milionë makina, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada u rritën me 4.3%, në 0.15 milion.
Në Europë, shitjet e makinave elektrike u rritën me 4.2% në 0.3 milion njësi, falë rritjes prej 24% në Mbretërinë e Bashkuar dhe fitimeve në Itali, Gjermani dhe Danimarkë – deklaroi Lester.
Çështjet kyçe
Në tregun kinez, shkalla e depërtimit të BEV dhe PHEV po rritet më shpejt se sa pritej dhe shitjet “mund të regjistrojnë rekord çdo muaj deri në fund të vitit”, tha Lester.
Ai theksoi se rritja prej 7% me bazë vjetore e Gjermanisë, padyshim, “është një lajm pozitiv” dhe se objektivat e ndërmjetëm për reduktimin e emetimeve të karbonit të vendosura nga Bashkimi Europian për vitin e ardhshëm do ta vënë në provë tregun e bllokut.
Rho Motion parashikon që shitjet e makinave elektrike në Europë do të arrijnë në 3.78 milionë njësi në vitin 2025 dhe 9.78 milionë në vitin 2030, përkatësisht 24% dhe 19% më pak krahasuar me vlerësimet e mëparshme, deklaroi për Reuters, William Roberts, përgjegjës i kërkimit të automobilave.
Situata aktuale
Në fillim të muajit, Franca njoftoi synimin për të reduktuar mbështetjen për blerësit e makinave elektrike, ndërsa Gjermania vendosi në shtator të lehtësojë taksat për kompanitë në shitjet e tyre të makinave elektrike, pasi vitin e kaluar i dha fund një skeme subvencionimi për të ndihmuar në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.
/ Reuters
Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.