PEKIN, 30 nëntor /ATSH-ANSA/ – Sekreti i plakjes së ëmbël është fjeta e të paktën 7 orë në natë, thekson studimi i kryer në Kinë tek më shumë se 3000 njerëz, të monitoruar periodikisht.
Studimi, i kryer nga grupi i Universitetit Wenzhou të udhëhequr nga Hongying Shi, është publikuar në revistën Bmc Public Health.
Prej disa kohësh, shumë studime kanë demonstruar rëndësinë e gjumit për shëndetin e përgjithshëm, nga ndikimi në tru tek zhvillimi i fetusit gjatë shtatzënisë, dhe tani vjen konfirmimi i rolit që orët e gjumit mund të luajnë në plakjen e shëndetshme.
Studiuesit përdorën kushtin ‘plakje me sukses’ si parametër, i cili i referohet plakjes pa sëmundje serioze kronike, pa dëmtime fizike, mbajtjen e ‘funksionit të lartë konjitiv dhe shëndetit të mirë mendor, duke arritur të ruajë angazhimin aktiv në jetë.
Studimi shqyrtoi 3 306 pjesëmarrës të moshës 45 vjeç e lart, zakonet e gjumit të të cilëve u regjistruan në 2011, 2013 dhe 2015, e ndjekur nga një kontroll gjithëpërfshirës mjekësor pesë vjet më vonë.
Të gjithë vullnetarët u analizuan dhe u klasifikuan bazuar në zakonet e tyre të gjumit ndër vite: i qëndrueshëm i gjatë (8-9 orë gjumë rregullisht), normal i qëndrueshëm (7-8 orë rregullisht), në rënie (nga një mesatare prej mbi 8 më pak se 6), në rritje (nga një mesatare prej më pak se 6 në mbi 8) dhe e qëndrueshme e shkurtër (5-6 orë rregullisht).
Në fund të studimit, nga të gjithë pjesëmarrësit, vetëm 455 individë (13.8%) regjistruan një rezultat pozitiv në të gjitha kriteret e suksesshme të plakjes, prej tyre deri në 307 (rreth dy të tretat) flinin vazhdimisht më shumë se shtatë orë në natë.
Grupi me më pak subjekte që u plakën me sukses ishte ai me gjumë të shkurtër dhe të qëndrueshëm (vetëm 8.8%).
Prandaj, të dhënat tregojnë se sa i rëndësishëm është gjumi dhe sugjerojnë gjithashtu se ulja e kohëzgjatjes së gjumit nuk duhet kuptuar si një ndryshim për shkak të moshës, përkundrazi, autorët e studimit vërejnë, si një pengesë për arritjen e plakjes së suksesshme. /os/