Prezantohet platforma digjitale “mundesi.ypn.al” për fuqizimin

by admin

Është prezantuar* platforma më e re digjitale “mundesi.ypn.al”, një zgjidhje e re inovative dhe falas, që synon të mbështesë të rinjtë shqiptarë në ndërtimin e karrierës së tyre. Kjo platformë është krijuar nga bashkëpunimi i projektit Boost Employment dhe organizatës Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, për t’u siguruar të rinjve një mjet të thjeshtë dhe të përshtatshëm për të zhvilluar aftësitë dhe karrierën e tyre.

Agjentina Grazhdani, drejtoreshë vendore e Swisscontact Shqipëri, vlerësoi rëndësinë e platformës duke theksuar se “kjo platformë përfaqëson një vizion të përbashkët të projektit dhe organizatës, që synon të rrisë aksesin në tregun e punës përmes zgjidhjeve digjitale.”

Geron Ibrahimi, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve mes aktorëve për rritjen e aftësive digjitale tek të rinjtë: “Platforma ‘mundesi.ypn.al’ është një nga instrumentet që do të lançojmë si mjet komunikimi edhe në nismat tona. Ne, si institucion, do ta mbështesim këtë iniciativë.”

Po si lindi ideja e krijimit të kësaj platforme?

“Në vitin 2021, realizuam një studim me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë për të kuptuar nevojat e tyre. Rezultoi se 8 nga 10 prej tyre ishin të gatshëm të merrnin shërbime punësimi në mënyrë digjitale. Kjo na orientoi drejt krijimit të një mjeti që sjell më afër këto shërbime”, deklaroi Brikena Sallaku menaxhere e projektit Boost Employment.

Ndërsa Françeska Muço, drejtore e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, nënvizoi vlerën e platformës si një mjet që adreson qasjen e mundësive direkt tek të rinjtë.

“Krijimi i një platforme digjitale që do të decentralizonte aksesin në mundësi nga Tirana, por dhe njëkohësisht do ta centralizonte që mos të kemi të rinj që nuk dinë se ku të kërkojnë trajnime, konferenca, grante, bursa. Nga ana tjetër të pasurit organizata, biznese, apo entitete që ankohen se nuk gjejnë të rinj që të plotësojnë vendet vakante, ka qenë një ndër gjërat që ne kemi vënë re në tregun shqiptar. Ndaj këtë mungesë e kemi adresuar”.

Jonida Lika, përgjegjëse e Sektorit të Projekteve dhe Garancisë Rinore në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, theksoi rolin e rëndësishëm të digjitalizimit për të rinjtë dhe si shihet kjo nga ana e institucioneve qeveritare.

“Institucionet shtetërore kanë ndryshuar metodologjinë dhe strategjinë, janë bërë shumë “smart” ndaj formës sesi ne duam t’i afrohemi të rinjve. Ndaj dhe platformat që ne ndërtojmë janë më të lehta për t’u përdorur nga të rinjtë dhe më të përshtatura për të rinjtë”.

Përfaqësuesi i biznesit, Elidon Avrami nga DBS Group, vlerësoi ndikimin pozitiv të digjitalizimit.

“E parë nga ana e biznesit, digjitalizimi shkurtër rrugët për të arritur një objektiv të caktuar. Kjo na lejon të lidhemi më shpejt dhe më efektivisht me talentet e reja.”

Disa prej të rinjve që u njohën me platformën u shprehën për të: “Një hap i madh për të ndihmuar të rinjtë për të gjetur mundësi në të ardhmen”.

Platforma “mundesi.ypn.al” është krijuar për të ofruar një përvojë të thjeshtë, duke siguruar akses të drejtpërdrejtë në mundësi për zhvillim personal dhe profesional, përfshirë trajnime, bursa, grante dhe konferenca. Lancimi i platformës është një tjetër hap për fuqizimin e të rinjve në Shqipëri, duke përdorur teknologjinë si një mjet për të kapërcyer sfidat dhe për të krijuar mundësi të reja në tregun e punës.

*Platforma u prezantua në një aktivitet më 16 tetor që bashkoi përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, organizatat jofitimprurëse dhe bizneset, të cilët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit për përmirësimin e mundësive të punësimit për të rinjtë nëpërmjet teknologjisë.

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like