PARIS, 4 dhjetor /ATSH-AFP/- OECD paralajmëroi sot se masat proteksioniste tregtare përbëjnë një rrezik të madh për prishjen e ekonomisë botërore – vetëm disa javë përpara se Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
OECD – Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik është një organizatë ndërqeveritare me 38 vende anëtare, e themeluar në vitin 1961 për të stimuluar progresin ekonomik dhe tregtinë botërore.
OECD – një organ me qendër në Paris – që këshillon vendet e industrializuara për çështjet e politikave – nuk e përmendi kurrë Trump në analizën e saj të përditësuar të ekonomisë botërore.
Por, me zotimin e presidentit të sapozgjedhur se do të vendosë tarifa ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së – pas kthimit të tij në pushtet muajin e ardhshëm – ishte plotësisht e qartë se OECD po paralajmëronte për masat e mundshme të Trump.
Ndërsa organizata paraqiti parashikimin e saj të rritjes globale për vitin 2025 në 3,3% – ajo paralajmëroi se – proteksionizmi më i madh tregtar, veçanërisht nga ekonomitë më të mëdha – përbënte një “rrezik negativ” së bashku me tensionet gjeopolitike dhe borxhet e larta publike.
Gjatë fushatës, Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa prej të paktën 10% për të gjitha importet – dhe që nga zgjedhja e tij është zotuar të vendosë tarifa importi prej 25% ndaj Kanadasë dhe Meksikës, partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së.
“Rritja e masave kufizuese të tregtisë mund të rrisë kostot dhe çmimet, të pengojë investimet, të dobësojë inovacionin dhe në fund të ulë rritjen”, paralajmëroi OECD në perspektivën e saj ekonomike.
“Rritjet e mëtejshme të kufizimeve të tregtisë globale do të rrisin çmimet e importit, do të rrisin kostot e prodhimit për bizneset dhe do të ulin standardet e jetesës për konsumatorët”, sipas OECD.
Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë nga 2017 deri në 2021, Trump vendosi tarifa për produkte të caktuara nga Kina dhe partnerë të tjerë tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian – por në një shkallë më të vogël se masat që ai është zotuar të ndërmarrë pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Një studim i fundit nga Konsulenca Roland Berger llogariti koston e masave të SHBA-së dhe kundërmasave të mundshme nga Kina dhe BE-ja në më shumë se 2,1 trilion dollarë deri në vitin 2029. //a.i/