Gjyqtari në procedurë paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Publike të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave në procedurë të shkurtuar, pas prononcimit të të dyshuarve, të cilët sot vonë pasdite janë dërguar në gjykatë ka marrë vendime, me të cilat e ka pranuar propozimin dhe të treve u ka caktuar nga 8 ditë paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale, njofton Gjykata Penale.
Personat e arrestuar, thuhte në komunukatë dyshohen për veprën penale nga neni 319 paragrafi 1 i Kodit Penal, lidhur me ngjarjet e djeshme ku janë shkatërruar simbolet kombëtare dhe flamuri shtetëror.
Prokuroria themelore publike Shkup, paraprakisht informoi se ka inicuar procedurë kundër tre personave të rritur për veprën penale – Shkaktim i urrejtjes, përçarje apo mosdurim në baza nacionale, racore, fetare dhe baza të tjera diskriminuese nga neni 319 paragrafi 1 i Kodit penal, përderisa kundër një personi tjetër të mjitur do të zhvillohet procedurë e rregullt sipas Ligjit për drejtësi për fëmijët.
“Të dyshuarit, më 28.11.2024 rreth orës 20:00 deri në orën 23:00 në bulevardin ‘Kërste Misirkov’ në Shkup, pas përfundimit të manifestimit në sheshin Skënderbeu me rastin e ditës së flamurit shqiptar, me përqeshje të simboleve nacionale, përkatësisht djegies, shkatërrimit dhe grisjes së flamurit shtetëror, shkaktuan urrejtje, përçarje dhe mosdurim në bazë të përkatësisë etnike”, thuhet në kumtesën e PPRMV-së.
Për të dyshuarit e moshës madhore, prokurori kompetent publik, i parashtroi gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktim të masës së paraburgimit.
Paraprakisht, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Tposhkovski informoi se janë arrestuar tetë persona të cilët morën pjesë në incidentet e djeshme kur me rastin e festimit të Ditës së flamurit shqiptar u përdhos flamuri maqedonas. Toshkovski tha se katër prej tyre dyshohen në pajtim me nenin 319 të Kodit penal për të cilën vepër penale është caktuar dënim me burg prej minimum një viti.
Toshkovski theksoi se të gjithë janë persona të rinj, ndërsa njëri është i mitur. Njëri prej tyre është kapur se si e djeg flamurin maqedonas, ndërsa një tjetër e heq flamurin. Katër personat e tjerë janë arrestuar sepse kanë marrë pjesë në përleshje.