Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi të hënën dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania dhe Vodafone Albania, duke i hapur rrugën implementimit për herë të parë të teknologjisë 5G në Shqipëri.
Sipërmarrësi ONE Albania ka marrë në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz, ndërsa Vodafone po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz.
Të dy operatorët kanë paraqitur oferta në vlerën minimale të kërkuar nga rregullorja e tenderit, me 5 milionë e 436 mijë euro secili. Në total, buxheti i shtetit ka përfituar 10 milionë e 872 mijë euro. Vetëm një bllok frekuencash, në sasinë e 40 MHz, ka ngelur i pashpërndarë.
Ashtu siç pritej, në tender u paraqitën oferta vetëm nga dy operatorët celularë ekzistues. Tashmë, shpresat për një zgjerim të konkurrencës ngelen te operatorët e rrjeteve virtuale (MVNO)
Sipas AKEP, mes kushteve të tjera të përdorimit të këtyre frekuencave, sipërmarrësit ONE Albania dhe Vodafone Albania marrin përsipër angazhimin që të negociojnë me sipërmarrës të tjerë, si operatorët virtualë (MVNO-të), aksesin në kapacitetet e tyre radio, në funksion të politikës rregullatore të AKEP-it për të nxitur konkurrencën në nivel shërbimesh.
Në përputhje me kushtet e Autorizimeve Individuale, sipërmarrësit janë të detyruar që, përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike.
Në teori, vlerësohet gjenerata e sistemeve celulare 5G në teori mund ta rrisë shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit te frekuencave. Në praktikë, po tu referohemi të dhënave nga matjet e operatorëve që kanë implementuar rrjetet 5G në vitet e fundit, ndryshimet në praktikë nuk janë të këtyre përmasave.
Megjithatë, rrjetet 5G pritet të ofrojnë kapacitete më të mëdha dhe perspektiva më të zgjeruara sidomos në zgjerimin e shërbimeve për bizneset. Ato do të krijojnë mundësi për të ofruar zgjidhje të avancuara për komunikimin, automatizimin dhe kontrollin në distancë në shumë sektorë të ekonomisë.
AKEP është shprehur ditën e hënë i përkushtuar të vendosë sa më parë në përdorim të sektorit të komunikimeve elektronike brezin 700MHz, brezin tjetër kryesor të 5G-së, pas lirimit të tij nga mediat audiovizuale, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe të popullsisë me shërbim cilësor.
Sipas Planit Kombëtar të Frekuencave, miratuar në vitin 2021, brezi 700 MHz (694-790 MHz), duhet të kalonte përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022. Por, lirimi i këtij procesi po rezulton një proces i vështirë dhe në shkelje të afateve të përcaktuara. Procesi i lirimit të këtij brezi nuk ka sjellë rezultate të rëndësishme as për vitin e kaluar.
Në raportin vjetor për Kuvendin të vitit 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), shprehej as vitin e kaluar nuk u arritën rezultate të prekshme nga ky proces. AMA vlerëson se lirimi i brezit 700 MHz (DD2) është një proces kompleks, i cili përfshin disa vendimmarrje në kuadrin ligjor, financiar, teknik i cili ngarkon me përgjegjësi jo vetëm AMA-n, por një sërë aktorësh, të cilët të gjithë së bashku duhet të kenë vullnetin e mirë për të nxitur dhe përshpejtuar arritjen e objektivit.
Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.