Fluturimet në hapësirë

by admin

Raketat janë të shkëlqyera, por janë pikërisht satelitët që e bëjnë SpaceX të vlefshëm. Sipërmarrja hapësinore e Elon Musk së shpejti mund të jetë më e vlefshme se Tesla, shkruan The Economist

 

Ishte një mrekulli inxhinierike. Gjysma e poshtme e objektit më të madh që është dërguar ndonjëherë në hapësirë, me gjatësi sa një avion Boeing 747, po binte me një shpejtësi aq të madhe, sa sipërfaqja e saj ndriçonte nga fërkimi me ajrin.

Teksa raketa po i afrohej tokës, grupi i motorëve u ndez për pak kohë, duke e ngadalësuar rënien dhe duke e drejtuar me kujdes objektin për t’u vendosur në mbajtësen e së njëjtës kullë çeliku nga e cila ishte nisur vetëm shtatë minuta më parë. Krahët e mbajtëses së kullës u hapën për ta mbërthyer, duke e lënë raketën pezull në ajër, e ndriçuar nga drita e rrezeve të para të mëngjesit.

 

 

Kjo raketë e jashtëzakonshme e ka emrin Starship. Kompania që e ndërtoi atë, SpaceX, u themelua në vitin 2002 nga Elon Musk, me synimin për të ulur shpenzimet e fluturimit të objekteve në hapësirë.

Zoti Musk thotë se qëllimi i uljes së kostove, është për të ndërtuar një vendbanim në Mars për njerëzit. Por këto përpjekje kanë bërë të mundura gjëra të reja edhe në Tokë. Gjatë katër viteve të fundit, SpaceX është bërë një kompani interneti e përhapur në gjithë botën, përveç biznesit të prodhimit të raketave.

Shërbimi i saj Starlink përdor një numër jashtëzakonisht të madh satelitësh (tani rreth 6,400), për të mundësuar qasje të shpejtë në internet, pothuajse kudo në planet.

 

Vëzhgimi i hapësirës

Falë perspektivave të Starlink, vlerësimi i kompanisë SpaceX është rritur në 180 miliardë dollarë (shih grafikun 1). Disa analistë madje kanë filluar të pyesin nëse një ditë kjo kompani mund të arrijë apo edhe të kalojë vlerën e Tesla-s, një kompani e makinave elektrike, që zotërohet gjithashtu nga Elon Musk.

Nëse mbahen premtimet e kompanisë, falë madhësisë së saj dhe çmimit të volitshëm, mund të nxitet shumë biznesi i udhëtimit në hapësirë.

 

 

Raketat Falcon të kompanisë SpaceX kanë ulur tashmë koston e fluturimit në hapësirë. Arsyeja kryesore për këtë, është se ndryshe nga raketat e tjera, baza e tyre mund të ripërdoret për të fluturuar sërish.

Sipas një vlerësimi nga Banka Citigroup, raketat Falcon të SpaceX mund të dërgojnë një volum prej 1 toni në hapësirë, me rreth një të dhjetën e kostos së një dekade më parë.

Sipas të dhënave nga firma BryceTech, në tremujorin e parë të këtij viti, firma dërgoi pothuajse shtatë herë më shumë objekte në orbitë sesa të gjithë rivalët e saj së bashku, qofshin ato firma private apo programe kombëtare hapësinore (shih grafikun 2).

Por gjithsesi, raketat Falcon janë relativisht të vogla dhe vetëm pjesërisht të ripërdorshme. Pjesët e tyre të sipërme hidhen poshtë dhe pjesët e poshtme kërkojnë javë për t’u rregulluar që të jenë në gjendje të fluturojnë sërish.

Ky problem pritet të ndreqet me raketën e re Starship. Të dyja gjysmat e raketës janë modeluar për t’u ripërdorur dhe për t’u nisur shpejt në hapësirë. Zoti Musk shpreson të zvogëlojë kohën e rregullimit pas fluturimit, nga javë, në orë. Raketa është e madhe. Ajo mund të transportojë rreth 150 tonë në orbitë, shumë më tepër se raketa Falcon 9, që transporton 18 tonë.

Pavarësisht se ka përmasa më të mëdha, Starship do të jetë më e lirë se një raketë Falcon. Kompanisë SpaceX i nevojiten 70 milionë dollarë për të nisur në hapësirë një Falcon 9. Ajo shpreson të ulë koston e nisjes së raketës Starship në 10 milionë dollarë.

Qëllimi përfundimtar është që biznesi i raketave të shndërrohet në diçka që i përngjan atij të avionëve, pra duke prodhuar në masë një mjet që furnizohet shpejt me karburant dhe mund të ripërdoret për të fluturuar.

Zoti Musk ka si synim që fabrika “Starfactory” që kompania SpaceX po ndërton në selinë e saj në Texas, të prodhojë nga një raketë të re Starship çdo ditë dhe që flota e tyre të fluturojë disa qindra apo edhe mijëra herë në vit.

 

Drejt yjeve

Musk e ka zakon që bën shumë parashikime madhështore dhe në të vërtetë, realizohen vetëm disa prej tyre. Por kur filloi prodhimi i sistemit të satelitëve Starlink, ai tha se ambicia e tij e vetme ishte që biznesi të mos falimentonte. Diçka e ngjashme ishte provuar në një shkallë shumë më të vogël, nga firma të tjera si Teledesic dhe GlobalStar, por të gjitha falimentuan. Ndryshe nga ato, Starlink po lulëzon.

Antenat e tij të bardha dalluese, janë ngritur kudo, nga shkollat e largëta në Amazonë, deri te bunkerët dhe llogoret në vijën e parë të luftës në Ukrainë. “Madje ka pasur një rast kur një antenë e Starlink është lidhur në një dorezë fshese dhe është montuar në një tualet publik në Lake District”, thotë Simon Potter nga kompania BryceTech.

Në shtator, firma njoftoi se kishte regjistruar 4 milionë klientë. Trafiku përmes rrjeteve të saj është dyfishuar vitin e kaluar, pasi kompania SpaceX ka nënshkruar marrëveshje me linjat e lundrimit, firmat e transportit detar dhe linjat ajrore.

Sipas parashikimeve të një tjetër firme analitike, Quilty Space, të ardhurat e sistemit Starlink do të arrijnë në 6.6 miliardë dollarë këtë vit, nga 1.4 miliardë dollarë në vitin 2022. Kjo shumë është tashmë 50% më e lartë se të ardhurat e përgjithshme të dy firmave të mëdha të internetit me satelit, SES dhe IntelSat, të cilat njoftuan se do të bashkoheshin në prill.

Një vit më parë, Elon Musk tha se sistemi Starlink kishte “baraspeshuar humbjet me fitimet”. “Është befasuese që një eksperiment i këtij madhësie mund të jetë fitimprurës”, thotë Chris Quilty. “Dhe kjo i frikëson të gjithë të tjerët në industri”.

Në fakt, përdorimi i satelitëve për të siguruar qasje në internet nuk është një ide e re. Firma si Hughes, SES dhe ViaSat, tashmë mundësojnë pikërisht këtë shërbim, duke çuar sinjalet nga abonentët, në stacionet tokësore dhe në internetin më të gjerë.

Por ata mbështeten në një numër të vogël satelitësh, kryesisht në orbitë të lartë. Kjo lejon që një satelit i vetëm të shohë një pjesë të madhe të sipërfaqes së Tokës dhe t’u shërbejë shumë klientëve në të njëjtën kohë.

Fatkeqësisht, fluturimi në lartësi kaq të mëdha, do të thotë gjithashtu se sinjaleve i duhet një kohë për t’u ngjitur deri në satelit dhe për t’u rikthyer në Tokë. Kjo e bën të vështirë punën në distancë, lidhjet me video-call dhe lojërat në internet.

Dhe kur një numër i madh njerëzish varen nga një satelit i vetëm, mund të shkaktohet mbingarkesë. Zoti Potter thotë se pikërisht për këtë arsye, interneti satelitor është parë si një mundësi e fundit që përdoret kur nuk ka zgjidhje tjetër.

 

 

Satelitët Starlink fluturojnë në orbita shumë të ulëta, me një lartësi rreth 500 km. Kjo shkurton vonesat e transmetimit, duke e lejuar Starlink që të mundësojë një lidhje interneti të ngjashme me lidhjet tokësore.

Problemi është se çdo satelit mund të shërbejë vetëm në një zonë të vogël të Tokës. Prandaj, për të arritur mbulim mbarëbotëror, nevojiten shumë satelitë.

Sipas Jonathan McDowell nga Qendra për Astrofizikën, rreth 6400 satelitët Starlink të lëshuar që nga viti 2019, përbëjnë rreth tre të katërtat e të gjithë satelitëve që janë aktivë në hapësirë (shih grafikun 3). SpaceX ka plane të forta për të vendosur 12,000 satelitë dhe ka aplikuar për të lëshuar deri në 42,000 satelitë.

Raketa Falcon 9 lëshon rreth dy duzina satelitë Starlink në një fluturim. Starship duhet të jetë në gjendje të mbajë më shumë satelitë dhe më të mëdhenj. Zoti Musk thotë se vetëm Starship do të jetë në gjendje të transportojë brezin e ardhshëm të satelitëve.

Edhe kur vendosja e satelitëve të ketë përfunduar, Starship do të ketë ende punë. Sepse një nga pasojat e mbajtjes së satelitëve në orbita të ulëta, është se ato kanë një jetëgjatësi prej vetëm rreth pesë vjetësh, dhe më pas atmosfera e dobët në atë lartësi, e ngadalëson satelitin nën shpejtësinë orbitale.

Për të mbajtur një plejadë prej 40,000 satelitësh, do duhej të zëvendësoheshin rreth 8,000 satelitë në vit.

Kostot e lira të fluturimit në hapësirë nuk janë sekreti i vetëm i suksesit të Starlink. I rëndësishëm është edhe integrimi vertikal. Kompania SpaceX i prodhon vetë satelitët dhe antenat e teknologjisë së lartë që u shet klientëve. Kostot mbahen të ulëta edhe për faktin se kompanisë nuk i duhet të paguajë marzhe fitimi për furnizuesit, thotë zoti Potter.

Një tjetër faktor që ul kostot është prodhimi në masë. Duke prodhuar shumë satelitë dhe antena, kompania mund të ulë kostot për njësi. Gwynne Shotwell, drejtuesi operativ i kompanisë SpaceX, ka thënë se në fillim, çdo antenë i kushtoi firmës rreth 3,000 dollarë për t’u prodhuar.

Duke qenë se këto antena i shiste për 499 dollarë, kjo do të thotë se kishte humbje të mëdha për çdo klient të ri. Vitin e kaluar, kompania SpaceX tha se kishte arritur ta ulte koston e prodhimit nën 599 dollarë.

Gjithashtu, një sistem i përbërë nga mijëra satelitë të vegjël, mund të ndreqet dhe të përmirësohet më lehtësisht sesa një sistem i përbërë nga një grusht satelitësh të mëdhenj.

Për shembull, satelitët më të rinj të sistemit Starlink kanë lidhje me lazer që i lejojnë të komunikojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Kjo bën të mundur që trafiku të rregullohet fillimisht midis satelitëve, përpara se të dërgohet përsëri në Tokë.

Në këtë mënyrë, kufizohet edhe numri i stacioneve tokësore që duhet të ndërtojë Starlink, duke kursyer para. Zoti Quilty vlerëson se orientimi i 150 stacioneve tokësore të rrjetit përbën më shumë se gjysmën e kostove operative të sistemit Starlink.

Në janar, kompania SpaceX paraqiti një seri të re më të fuqishme satelitësh, për të lejuar celularët smartphone që të lidhen me Starlink, duke përdorur standardin e tanishëm të rrjetit 4G, pa pasur nevojë për ndonjë antenë të veçantë. Ideja është që celularët të mbahen të lidhur, edhe kur janë përtej mundësive të rrjeteve tokësore. Sistemi do të fillojë me mesazhe të thjeshta me tekst, derisa të kalojë te shërbimet zanore dhe të të dhënave.

Kompania SpaceX njoftoi marrëveshjen e saj të parë të këtij lloji, me rrjetin celular T-Mobile, në vitin 2022, dhe që atëherë ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me firma në disa shtete, duke përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Japoninë. Pritej që kompania të ndizte shërbimin amerikan vitin e ardhshëm.

Por në fillim të këtij muaji, ajo njoftoi se do të aktivizonte një version “më të mirë” në zonat e goditura nga uragani Helene, i cili do të lejonte telefonat T-Mobile që të merrnin alarme urgjente nga autoritetet, edhe kur shtyllat e telefonave celularë ishin rrëzuar nga stuhia.

Duke qenë se asnjëherë më parë nuk ka qenë e mundur të ndërtohet diçka si Starlink, askush nuk është plotësisht i sigurt se sa e madhe apo fitimprurëse do të jetë kjo nismë. Banka Morgan Stanley parashikoi në fillim të këtij viti se sistemi Starlink mund të ketë 32 milionë abonentë deri në vitin 2040, me një fitim vjetor prej rreth 100 miliardë dollarësh, ose sa tre të katërtat e parashikimit të bankës për të ardhurat totale të kompanisë SpaceX.

Banka Morgan Stanley ka paraqitur skenarë optimistë dhe pesimistë. Sipas skenarit optimist, Starlink do të regjistrojë 80 milionë abonentë dhe do të fitojë të ardhura me vlerë 250-300 miliardë dollarë në vit, mbi dy herë më shumë sesa fitoi Tesla vitin e kaluar. Sipas skenarit pesimist, lançimi i Starship do të vonojë, abonentët do të jenë më të paktë se parashikimet, dhe të ardhurat do të arrijnë në vetëm 40 miliardë dollarë në vit.

Sipas këtyre skenarëve, pjesa më e madhe e të ardhurave të Starlink do të vijnë nga familjet që ndodhen në zona të largëta. Shërbimi ndaj klientëve të tillë ishte plani fillestar i firmës dhe ky është një treg mjaft i madh.

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) llogarit se rreth 2.6 miliardë njerëz në mbarë botën, nuk kanë qasje efikase në internet. Edhe në Amerikë, qeveria thotë se 22% e familjeve në zonat rurale nuk mund të kenë një lidhje të mirë interneti.

Në një konferencë më 6 gusht, zonja Shotwell deklaroi se firma e saj mund të lidhë me internetin shumë më lehtësisht këta amerikanë në zona të thella, duke përdorur sistemin satelit Starlink, sesa duke vendosur kabllo me fibra optike.

Shumica e njerëzve pa lidhje interneti jetojnë në vendet e varfra. Tarifa për shërbimin SpaceX është 120 dollarë në muaj në Amerikë. Kjo është një shumë e papërballueshme për shumë veta në botën në zhvillim.

Kompania ka eksperimentuar me çmime më të ulëta në vende të tjera; vëllimet e larta mund të kompensojnë marzhet më të vogla. Kompania gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me rrjetet e telefonisë celulare në Afrikë dhe në Europë, për të përdorur satelitët e saj për lidhjet e largëta me internetin.

 

 

Burimet e të ardhurave

Të ardhura shtesë vijnë nga linjat ajrore dhe industritë e transportit detar. Kompania SpaceX ka nënshkruar tashmë marrëveshje me kompanitë Carnival dhe Royal Caribbean, dy linjat më të mëdha të lundrimit në botë, dhe me Maersk, një gjigant danez i transportit të mallrave.

Air France, Qatar Airways dhe United Airlines, kanë thënë se do të përdorin antenat Starlink për të mundësuar Wi-Fi falas për pasagjerët, siç kanë bërë linjat ajrore më të vogla si Air New Zealand.

Banka Morgan Stanley vë në dukje se me rrjetin celular nuk lidhen vetëm celularët smartphone. Këtë e bëjnë edhe shumica e makinave moderne (duke përfshirë makinat Tesla të zotit Musk), si dhe pajisjet e tjera, nga dronët, deri te turbinat me erë. Ai mendon se me kalimin e kohës, ky treg mund të sigurojë plot një të tretën e të ardhurave të Starlink. Edhe qeveritë mund të kontribuojnë në shtimin e të ardhurave.

Për shembull, menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kompania SpaceX njoftoi se kishte krijuar një divizion të quajtur Starshield, për të furnizuar klientët në qeveri, me satelitë të ngjashëm me Starlink. Në vitin 2021 thuhet se firma nënshkroi një kontratë 1.8 miliardë dollarë me Zyrën Kombëtare të Zbulimit, e cila operon satelitët spiunë të Amerikës.

Një ditë, Starlink mund të sigurojë lidhje jo vetëm mbi Tokë, por edhe në të. Në një mision të fundit, astronautët vunë në provë një nga modulet e komunikimit me lazer në anijen kozmike Dragon, ku kishin mundësi të lidheshin me rrjetin ndërsa ishin në hapësirë.

(Gjithashtu, me anë të Starlink, SpaceX mund të transmetojë pamje nga fluturimet provë të raketës Starship, edhe kur ajo del jashtë rrezes së kamerave me bazë tokësore.) Në mars, zonja Shotwell njoftoi planet për t’i shitur modulet me lazer për operatorët e tjerë satelitorë, duke u mundësuar atyre lidhje të lira dhe të lehta në orbitë.

Por jo të gjithë e kanë mirëpritur Starlink. Shërbimi është ndaluar në disa vende afrikane, si Burkina Faso, Kamerun dhe Senegal. Disa qeveri janë armiqësore ndaj një ofruesi interneti në pronësi amerikane, me infrastrukturë në orbitë.

Me nxitjen e qeverisë amerikane, SpaceX tashmë ka eksperimentuar për të mundësuar qasje interneti të pacensuruar në Iran, për këdo që ka një antenë kontrabandë, pavarësisht një ankese zyrtare nga autoritetet iraniane.

Politika e Space X nuk duket e qëndrueshme. Për shembull, Starlink nuk është përpjekur të kapërcejë censurat në Kinë, ku Tesla prodhon dhe shet shumë makina.

Musk nuk pranon të lejojë ushtrinë e Ukrainës që të përdorë Starlink kur sulmon forcat ruse në Krime, edhe pse gadishulli është territor ukrainas. Dhe ai është përfshirë në një grindje pa mbarim, mbi ligjet rregullatore të internetit në Brazil.

Një gjykatës brazilian i urdhëroi ofruesit e internetit që të ndërpresin qasjen në rrjetin social X, në zotërim të Elon Musk. SpaceX në fillim nuk pranoi të pajtohej, por më vonë ndryshoi drejtim.

 

Rivalët

SpaceX ka edhe rivalë, por asnjëri nuk e arrin për nga kostot e ulëta dhe shkalla e madhe e shtrirjes.

Një kompani e quajtur Eutelsat One Web, përdor një flotë prej më shumë se 630 satelitësh për të ndjekur një model të ngjashëm biznesi, megjithëse merret vetëm me biznese, në vend që t’u shesë drejtpërdrejt konsumatorëve siç bën SpaceX. Më 15 tetor, një firmë kineze e quajtur Shanghai Spacecom Satellite Technology, lëshoi një grup të dytë satelitësh, duke dashur ta çojë numrin total të tyrë në 14,000.

Kompania Amazon ka një themelues i cili është po aq i dhënë pas hapësirës sa Elon Musk. Kompania planifikon të dërgojë në hapësirë një grup prej 3,200 satelitësh, dhe të paktën në teori, do të fillojë të regjistrojë klientët vitin e ardhshëm (deri tani ka lëshuar vetëm dy satelitë prototip).

Grackat politike dhe rivalët, e bëjnë edhe më të vështirë gjykimin e potencialit të SpaceX. Por ai ka pasur një fillim të mbarë, duke arritur edhe parashikimet e zotit Musk. Ndërsa kostot e Starlink po ulen dhe sistemi po përmirësohet, po rritet edhe numri i klientëve të mundshëm.

Në një të ardhme jo shumë të largët, tregjet mund të kenë një shans për të vlerësuar perspektivat e tij: Musk ka thënë disa herë se ai mund të largojë Starlink nga SpaceX, kur biznesi të jetë mjaftueshëm i pjekur.

 

Pluhuri yjor

Kështu, SpaceX do të kishte mundësi të përqendrohej vetëm në dërgimin e ngarkesave dhe njerëzve në Mars. Starlink ka deklaruar se Marsi është “një planet i lirë”, mbi të cilin asnjë qeveri tokësore nuk ka “autoritet apo sovranitet” dhe se çdo mosmarrëveshje mbi shërbimet e Starlink të mundësuara në Mars, do të zgjidhet nëpërmjet parimeve “të vendosura në mirëbesim pas zbarkimit në Mars”.

Ata që i hedhin poshtë këto pretendime si broçkulla, duhet të sodisin qiellin./ Përktheu: Lira Muça

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like