Të ardhurat mposhtin Tesla për herë të parë
Të mërkurën, prodhuesi kinez i makinave elektrike BYD regjistroi rritje prej 11.5% të fitimit neto në tremujorin e tretë, pasi ruajti vrullin e fortë të shitjeve, i ndihmuar nga stimujt e qeverisë për tregtinë.
Fitimi neto u rrit në 11.6 miliardë juanë (1.63 miliardë dollarë) në tremujorin korrik-shtator, deklaroi kompania. Për nëntë muajt e parë, fitimi neto është rritur me 18.1% në 25.2 miliardë juanë.
Me të ardhurat në tremujorin e tretë që u rritën me 24% krahasuar me një vit më parë në 201.1 miliardë juanë (28.24 miliardë dollarë), të ardhurat tremujore të BYD tejkaluan për herë të parë ato të Tesla, të ardhurat e së cilës në tremujorin korrik-shtator arritën në 25.2 miliardë dollarë.
Megjithatë Tesla e ka mposhtur BYD sa u përket shitjeve të makinave elektrike në nivel global në periudhën korrik-shtator.
BYD, makinat e së cilës përfaqësojnë më shumë se një të tretën e shitjeve totale të makinave elektrike dhe hibride plug-in në Kinë këtë vit, theu rekordin mujor të shitjeve në shtator, madje shitjet e saj tremujore arritën një rekord të ri në tremujorin e tretë.
Kampioni vendas dhe homologët e tij, si Tesla, kanë përfituar nga një sërë masash nxitëse të zgjeruara ndaj makinave të reja kundrejt të vjetrave, që favorizojnë automjetet më të gjelbra. Muajin e kaluar, shitjet e makinave në Kinë ndërprenë një rënie prej pesë muajsh, falë rritjes së subvencioneve, treguan të dhënat e industrisë.
Në fund të tetorit, 1.57 milionë persona ishin regjistruar për të përfituar një subvencion nga qeveria deri në më shumë se 2800 dollarë për person, për të zëvendësuar makinat më të vjetra me makina më ekologjike, sipas të dhënave zyrtare.
BYD udhëheq rritjen me ulje çmimesh agresive te modelet e saj më të shitura. Tremujori më i mirë u nxit kryesisht nga rritja e fortë e shitjeve të makinave hibride plug-in, që u rritën me 75.6% krahasuar me një vit më parë duke arritur në 685.830 njësi në tremujorin e tretë, falë teknologjive hibride plug-in të gjeneratës së fundit që u lejojnë përdoruesve të kursejnë më shumë kosto karburanti.
Për krahasim, rritja e shitjeve të makinave tërësisht elektrike të BYD (në vend të modeleve hibride) u ngadalësua me 2.7% në 443.426 njësi në tremujor, duke humbur pjesë në segmentin e makinave elektrike ndaj rivalëve të tjerë në Kinë, sipas llogaritjeve të Reuters.
BYD, i cili shet ende më shumë se 90% të automjeteve të veta në Kinë, ka vendosur një objektiv të shitjeve vjetore më të lartë për këtë vit, tregon një raport i Morgan Stanley në shtator, i cili
synon të dyfishojë eksportet në 450.000 makina këtë vit, duke rishikuar në ulje objektivin vjetor të 500.000 dërgesave jashtë vendit të vendosur në mars.
BYD, i cili ka udhëhequr një nxitje drejt tregjeve europiane pavarësisht taksave shtesë, ka shitur 94.477 makina jashtë vendit në tremujorin e tretë, me rritje prej 32,6% krahasuar me një vit më
parë.
/ Reuters
Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.