Derbi mes Tiranës dhe Partizanit do të jetë kryefjala e Javës së 15-të të Abissnet Superiore. Për këtë takim përveç historisë ka edhe shumë statistika.
Një nga arsyet e kryesimit të Partizanit është pikërisht mbrojtja, që është më e mira në kampionat, me vetëm 10 gola të pësuar. Sulmi i Partizanit është gjithashtu i treti në kampionat, me 19 gola të shënuar, një më shumë se Tirana.
Pavarësisht diferencave fillestare të këtyre dy skuadrave në këtë sezon, disa lojtarë po dalin në pah këtë sezon. Haxhiu i Tiranës është lojtari që ka bërë më shumë krosime në të gjithë kampionatin, me më shumë se 5 krosime për ndeshje.
Sa i përket krosimeve nga e majta, në këtë renditje janë respektivisht i dyti Prengaj i Tiranës dhe i treti Buxhelaj i Partizanit, që bëjnë rreth 3,5 krosime për ndeshje. Haxhiu gjithashtu ka spikatur për driblimet e kryera, me një mesatare pak më shumë se 6 në ndeshje, duke u renditur mbi Carën e Partizanit në këtë klasifikim. Të dy janë në top 5 të kampionatit për driblimet.
Në mbrojtje, Kola i Tiranës është lojtari i dytë që fiton më shumë duele (i pari është Qaqi i Elbasanit), me 79%, ndërsa i pesti është Preka i Partizanit, me 77% të dueleve të fituara.
Në renditjet individuale gjendet arsyeja e forcës së mbrojtjes së Partizanit; Mehmeti, mesfushori mbrojtës, është i katërti në renditjen e lojtarëve që kanë rikuperuar më shumë topa, një statistikë tipike për mbrojtësit, me 5,83 rikuperime topash për ndeshje. Po ashtu, Preka është i pesti në këtë renditje në të gjithë kampionatin, me 5,74 rekuperime për ndeshje.