Derbi i Stambollit për Vedat Muriqin, projektohet kthimi i ‘Piratit’ në Superligën e Turqisë

by admin

Para hapjes së merkatos dimërore, ekipet e Superligës turke kanë intensifikuar përpjekjet për transferime, duke synuar emra të rëndësishëm. Në qendër të vëmendjes është Vedat Muriqi. Kështu shkruan media e njohur ‘Aksam’.

Sulmuesi kosovar, i cili ka luajtur për një kohë të gjatë në Turqi dhe pas aventurës me Fenerbahçen u transferua në Evropë për një shumë të konsiderueshme, duket se është pranë rikthimit në Superligë. Një nga klubet e mëdha të kampionatit ka nisur zyrtarisht përpjekjet për ta transferuar atë.

Pasi u transferua në Itali për të luajtur me Lazion, ku nuk arriti pritshmëritë, Vedat Muriqi gjeti mundësi të reja në Spanjë me Mallorcan. Në ekipin spanjoll, sulmuesi u bë një nga lojtarët kyç të formacionit titullar.

Sezonin e kaluar në La Liga, me fanellën e Mallorcës, Muriqi realizoi 7 gola dhe dhuroi 2 asiste. Ndërsa këtë sezon, në 11 ndeshje, ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 1 asist. Performanca e tij ka tërhequr vëmendjen e dy klubeve të mëdha turke, Fenerbahçe dhe Galatasaray, të cilët po shqyrtojnë mundësinë për ta transferuar në janar.

Dy ekipet që garojnë për titullin kampion në Superligë kërkojnë të përforcojnë repartin ofensiv. Galatasaray, që humbi Mauro Icardin për shkak të një dëmtimi, dhe Fenerbahçe, që nuk ka marrë atë që priste nga En-Nesyri, kanë kthyer sytë nga Muriqi. Përvoja e tij në Superligë shihet si një faktor që mund të sjellë një ndikim të menjëhershëm.

Sipas informacioneve, bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit kanë filluar. Gjithashtu, Muriqi duket i hapur për një rikthim në Superligë.

Nga ana tjetër, pritet që për lojtarin të firmoset një kontratë 3-vjeçare dhe Mallorca të përfitojë një shumë prej rreth 5 milionë eurosh për transferimin e tij. Në ditët në vijim, një nga këto dy klube të mëdha mund të finalizojë zyrtarisht transferimin e Vedat Muriqit.

You may also like